Maqedoni
Fillimi i vitit shkollor, rëndon xhepin e qytetarëve
28.08.2014 16:48
Harxhimet e pushimeve verore dhe përgatitjet për vitin e ri shkollor, kanë ulur dyfish shportën e konsumatorëve në Maqedoni...

Qytetarët e anketuar nga TVM-2, thonë se rroga e tyre nuk ju del për të kaluar as gjysmën e muajit, pasi që shpenzimet janë maksimale në këtë periudhë të vitit.
Këtë situatë e bën akoma më të rënd edhe përgatitja e fëmijëve për vitin e ri shkollor, të cilët kërkojnë mjete shtesë për blerjen e fletoreve, çantave dhe pajisjeve tjera.
Çmimet nuk janë të larta, por mungojnë të hollat, thonë ata.
“Djali im punon në një vend, unë kam pensionin 15 mijë denarë dhe prapë nuk na del deri në fund të muajit. Vështirë na shkon ta kalojmë muajin”- u shpreh një qytetar.
“Jam pensioner, por s’ka shans me më dal pensioni deri në fund të muajit, katastrofë është puna”- tha një qytetar.
“Ne nuk jemi shumë anëtarë në shtëpi, plakun vetëm e kam, prej 1500 deri më 2000 denarë në muaj më shkojnë në javë për ushqim. Të ardhurat nuk na mbërrin deri në fund të muajit”- theksoi një qytetare.
Ulja e fuqisë blerëse të qytetarëve këto ditë ka ndikuar drejtpërdrejtë edhe ndaj punës së tregtarëve.
Ata, për TVM-2 shprehen të pakënaqur nga fitimi i ulët. Thonë se rritjet e fundit të çmimeve të produkteve dhe shpenzimet rreth pushimeve verore, ua kanë zvogëluar edhe ashtu punën e dobët të tyre.
“Puna është 50 me 50. Perimet shiten krejt, me pjeshka me rrush”- theksoi një tregtar.
“Interesim ka, por të holla nuk ka, ata vijnë pyesin për çmimet, për të hollat, por nuk kanë të holla për të blerë”- potencoi një tregtar.
Shporta minimale e konsumatorëve në Maqedoni, sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, përfshin 7 kategori edhe atë ushqim dhe pije, sigurimin e banimit, higjienës, transportit dhe veshjeve, kulturës, si dhe shëndetësisë.
Të gjitha këto, për muajin e kaluar mbushën shportën me vlerë prej 32 mijë e 83 denarë.
REXHEP QAMILI
