Osmani: Zgjedhjet dhe mediat, kyçe në çeljen e bisedimeve
Zgjedhjet presidenciale dhe roli i mediave janë shtyllat kyçe....

Zgjedhjet presidenciale dhe roli i mediave janë shtyllat kyçe që reflektojnë pjekuri institucionale për të filluar negociatat me BE-në, theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, pas një takimi pune me përfaqësuesit e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele.
“Periudha vërtet është e tillë, është unike, se në këtë rast më pak do të jetë e rëndësishme se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit, se sa çfarë procesi zgjedhor do të implementojmë për shkak se me proces të mirë zgjedhor ne do të tregojmë kapacitetin dhe pjekurinë tonë institucionale për të qenë të gatshëm për të filluar bisedimet me BE-në. Mendoj se ajo çfarë i intereson BE-së është se a kemi pjekuri të mjaftueshme institucionale për të përballur me sfidat e familjes së madhe të BE-së”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
TRAJÇEVSKI: TË GATSHËM QË T’I PLOTËSOJMË KUSHTET
Zoran Trajçevski nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele tha se do të bëjnë çmos që me zbatimin e ligjeve të ndihmojnë procesin e integrimit të vendit në BE.
“Agjencia do të bëjë çdo përpjekje në periudhën e ardhshme, siç e ka bërë deri më tani 100%, që të ndihmojë në marrjen e rekomandimit pozitiv në fund të muajit dhe fillimin e negociatave për anëtarësim të RMV-së në BE. Këtë do ta dëshmojmë me zbatimin në përpikëri të Kodit Zgjedhor gjatë zgjedhjeve presidenciale në koordinim me institucionet tjera shtetërore që zbatojnë procesin zgjedhor, dhe kuptohet edhe me implementimin dhe praktikimin e Ligjit për media me qëllim që të dëshmojmë se janë përmbushur kushtet që RMV në qershor t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE”,- tha drejtori i ASHAAV, Zoran Trajçevski.
Takimi u realizua në kuadër të vizitave të zëvendëskryeministrit Osmani nëpër institucione përkatëse për zbatimin e reformave, që ishin të parapara në Planin 3-6-9 dhe Planin 18, si dhe implementimin e detyrimeve lidhur me integrimin evropian të vendit. (Naim Ramadani, TVM2)
