Botë

Erdogan, sot filloi punën si president i Turqisë

28.08.2014 17:27

Rexhep Taip Erdogan, ka dhënë sot betimin në postin e presidentit të Turqisë, duke u bërë kështu edhe zyrtarisht presidenti i parë turk që zgjidhet nga populli...

Rexhep Taip Erdogan, ka dhënë sot betimin në postin e presidentit të Turqisë, duke u bërë kështu edhe zyrtarisht presidenti i parë turk që zgjidhet nga populli, pasi që deri tani presidenti zgjidhej nga Parlamenti.
 
“Në përputhje me autorizimet e mija si president, betohem në nderin dhe dinjitetin tim para popullit të madh turk dhe para historisë, se do ta mbroj ekzistimin dhe pavarësinë e shtetit”- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Kështu u betua Erdogan në seancën speciale të Parlamentit turk, pas çka mori duartrokitje nga deputetët e partisë së tij, por jo edhe nga deputetët e opozitës turke, të cilët u larguan nga Kuvendi pak para betimit, pasi e akuzojnë Erdoganin për shkelje të Kushtetutës.
 
Por, Erdogan nuk ka i fshehur ambiciet për ndryshime kushtetuese, me qëllim që pozita e presidentit të transformohet nga një post ceremonial në pozitë më të fuqishme, përkatësisht Turqia do të shndërrohej në shtet presidencial. 
 
Në ceremoninë e sotme inauguruese, kanë qenë të pranishëm 90 delegacione, përfshirë edhe lider të dhjetëra shteteve, në mesin e të cilëve edhe presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ai i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. 
 
Erdogan, në postin e presidentit erdhi pas fitores në zgjedhjet  presidenciale të 10 gushtit dhe në postin e presidentit vjen pasi ushtroi për 11 vite postin e kryeministrit.
 
Ndërsa menjëherë pas betimit në postin e presidentit, detyra e parë e Erdoganit ishte të mandatojë ish-ministrin e Jashtëm, Ahmet Davutogllu, për formimin e qeverisë së re.
 
GYLTENE SINANI