Rrafshnalta e Golanit, vendet arabe dhe Rusia kundër Trumpit

26.03.2019 19:43

Rusia, Irani dhe një numër i vendeve arabe, përfshirë aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik....

Rusia, Irani dhe një numër i vendeve arabe, përfshirë aleatët e SHBA-së në Gjirin Persik, kanë kritikuar vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për njohjen e sovranitetit të Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit.

Këto vende thonë se një vendim i tillë shkel ligjin ndërkombëtar dhe minon stabilitetin rajonal.

“Nisur nga pikëpamja e një zgjidhje politike në Lindjen e Mesme dhe atmosferës politike në Siri padyshim se vendimet e tilla kanë pasoja”, tha Dmitri Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin. 

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani tha se “askush nuk mund të imagjinojë që një person në Amerikë i jep territorin e një kombi një vendi tjetër okupues”.

Arabia Saudite, Bahrein, Katari dhe Kuvajti, të gjitha vende aleate të Uashingtonit, gjithashtu kundërshtuan vendimin.

Në Siri, agjencia shtetërore e lajmeve raportoi se mijëra njerëz kanë protestuar ndaj vendimit të Trumpit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, më 25 mars, nënshkroi njohjen e sovranitetit të Izraelit në Rrafshnaltën e Golanit. Izraeli e okupoi rajonin nga Siria gjatë luftës së vitit 1967 dhe bëri aneksimin efektiv në vitin 1981. Ky veprim nuk mori mbështetjen ndërkombëtare.