Ekonomi

Prezantohen mundësitë ekonomike të Maqedonisë

28.08.2014 17:32

Vendet e Ballkanit duhet të jenë më të unifikuara dhe koordinuara në pjesën e ekonomisë dhe duhet të veprojnë me strategji të përbashkët për të qenë më atraktiv në tregun ballkanik...

Kjo ishte porosia e panel-diskutimit të sotëm në Berlin, i organizuar nga Ministria gjermane e Ekonomisë, në kuadër të Samitit Gjermani-BE-Ballkan Perëndimor, në të cilin kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski edhe ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
“Duke pasur parasysh se secili shtet është shtet i cili ka treg të vogël ose potencial të vogël, ideja ose planet në të ardhmen janë që shtetet në Ballkan të unifikohen dhe të bëjnë një strategji të përbashkët, strategji e cila do të mundësojë thithjen e investimeve të huaja qoftë në sferën e energjetikës apo në sferën e këmbimit tregtar në vend. Qëndrimi i përbashkët i të gjithë ministrave ishte se duhet të ndërtojmë një strategji të përbashkët dhe kuptohet ne si shtet, strategjia jonë është që në këtë strategji ekonomike në të ardhmen të kemi pozicion kyç për thithjen e investimeve të huaja”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
 
Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski, gjatë këtij Samiti ka shfrytëzuar rastin për prezantimin e idesë për formimin e një tregu rajonal, respektivisht një burse rajonale për energji elektrike, me çka do të mundësohet energji më e lirë elektrike. 
 
“E kam prezantuar mundësinë për prezantimin e idesë për formimin e një tregu rajonal, respektivisht një burse rajonale për energji elektrike, me çka do të mundësohet energji më e lirë elektrike dhe furnizim më stabil me energji elektrike jo vetëm të Maqedonisë, por edhe për të gjithë rajonin”- theksoi zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vlladimir Peshevski.
 
Peshevski, tha se kjo si ide do të përpunohet edhe më tutje, por me rëndësi për ne është se Maqedonia në këtë moment po ndërton disa lidhje energjetike me vendet fqinje dhe duhet të shfrytëzohet kjo mundësi që edhe në këtë sferë të jemi shembull për stabilitet dhe tërheqje të investimeve.  
 
BESIM AVDULLAHI