Botë
Dialogu Prishtinë - Beograd, Vuçiq: sukses një marrëveshje pas 5 apo 10 vjetësh
27.03.2019 14:09
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se mundësitë për të arritur një marrëveshje me Kosovën...

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se mundësitë për të arritur një marrëveshje me Kosovën, janë shumë më të pakta sesa kanë qenë më parë, pasi Prishtina nuk do ta vazhdojë dialogun derisa të përfundojë mandati i administratës aktuale europiane.
Sipas kreut të shtetit serb, arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Kosovën në 5 apo 10 vitet e ardhshme, do të ishte sukses.
Por, Vuçiq në një debat në mediat serbe, ka theksuar se serbët kanë nevojë për një paqe afatgjate me shqiptarët.
“Pa një marrëveshje me Beogradin, Prishtina nuk mund të bëjë asnjëherë asgjë. Çdo mundësi për të folur do të përdoret për të dërguar një mesazh të mirë për popullin shqiptar, sepse ne kemi nevojë për paqe me ta, gjëja më e rëndësishme është ruajtja e një paqeje afatgjate, e cila nuk është pa zgjidhje”,- deklaroi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq është pesimist edhe për heqjen e taksës, një çështje që sipas tij mund të zgjidhet me ndërhyrjen e Unionit, por që në fakt Brukseli nuk dëshiron ta bëjë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
