Antikorrupsioni hap raste të reja, hetohen 5 gjykatës dhe ish funksionarë
Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit do hetojë me vetiniciativë 5 gjykatës....

Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit do hetojë me vetiniciativë 5 gjykatës për dyshime për keqpërdorim dhe aktivitete korruptive.
Komisioni do të hetojë gjendjen e tyre pronësore në bazë të raportit për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të shtetit, ku potencohet raporti i PSP-së, në të cilin është potencuar se këta gjykatës kanë lejuar politika në mënyrë të drejtpërdrejtë të përzihet në gjykata. Mes të dyshuarve janë edhe ish kreu i Penales, Vlladimir Pançevski, dhe kryetari aktual i Supremes, Jovo Vangellovski.
“Komisioni do të bëjë kontrollin e të dhënave nga listat anketuese për këta persona: Vlladimir Pançevski, Jovo Vangellovski, Aleksandra Zafirovska, Svetllanan Kostova, Sofija Lalicic”,- tha kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Zafirovska.
Pas zërave për keqpërdorime, Antikorrupsioni do të hetojë edhe gjendjen pronësore të funksionarëve të mëparshëm dhe të tanishëm të Qeverisë, deputetëve, drejtorëve, zëvendësve, si dhe drejtorëve të shoqatave aksionare në pronësi të shtetit.
“Do të hapen procedura për shqyrtimin e gjendjes pronësore të më shumë personave. Në mesin e tyre janë edhe Mile Janakievski, Ilija Misajllovski dhe Kiril Bozhinovski”,- u shpreh kryetarja e Komisionit për Parandalimin e Korrupsionit, Biljana Zafirovska.
Antikorrupsionerët miratuan edhe vendim për hapjen e lëndëve për 18 persona të cilët kryejnë dy ose më tepër funksione në të njëjtën kohë. Do të hetohet edhe se a ka korrupsion në procedurat për furnizime publike të planeve detale urbanistike në komunën Qendër.
Po ashtu do të hapet lëndë për konflikt interesash për bashkëshorten e ish ministrit Spiro Ristovski, Maja Ristovskën, e punësuar në MAPAS. Komisioni vërtetoi konflikt interesash edhe tek disa kryetarë të komunave, funksionarë dhe anëtarë të organeve udhëheqëse. (Flutura Latifi, TVM2)
