Zgjedhjet 2019, kandidatët gati platformat presidenciale, Nuhiu: Gara do të tensionohet në raundin e dytë

27.03.2019 16:15

Edhe pse zyrtarisht nuk kanë kandidatë të tyre në garë, por mbështesin kandidatë të caktuar....

Edhe pse zyrtarisht nuk kanë kandidatë të tyre në garë, por mbështesin kandidatë të caktuar, partitë politike shqiptare janë drejt finalizimit të platformave presidenciale para nisjes së fushatës më 1 prill.

Përfaqësuesit e partive politike, që mbështesin dy nga kandidatët në garë, në “Argument” në TVM2 debatuan rreth konceptit të konsensualitetit, në një debat ku mungoi dakordimi rreth konceptit.

Paketimi në termin konsensual dhe njëfarëlloj manovre të planifikuar strategjike e demanton BDI-në se 57% të mbështetësve të BDI-së do të kishin votuar për zotëri Blerim Rekën, d.m.th. nuk pajtohen me konceptin ashtu si po mundohet që t’i shitet elektoratit, konceptin konsensual”,- deklaroi Kastriot Rexhepi nga Lëvizja Besa.

“Ne bëjmë fjalë për koncepte, të zgjedhim koncepte dhe jo persona. BDI nuk heziton të paraqiste kandidatura por ne nuk dëshirojmë të bëjmë politikë dyfytyrëshe. Pikërisht tani jemi në rrugën për ta zgjedhur një kandidat konsensual dhe ne padyshim dalim para elektoratit tonë dhe me guxim për të sqaruar konceptin e BDI-së”,- tha Ejup Rustemi nga BDI.

Politologu, Qani Nuhiu, sugjeron që fushata të përqendrohet tek votuesit e papërcaktuar. Gara, sipas tij, do të tensionohet në raundin e dytë ku do të ketë përplasje konceptesh, por shqetësuese mund të jetë demotivimi i elektoratit për të votuar.

Raundin e dytë e pres me dy kandidatë të dy koncepteve ndryshe, që tek atëherë do të kemi një garë bukur serioze politike, garë konceptesh. Rrezikun më të madh që unë e shoh është demotivimi i votuesve për të dalë në votim dhe këtu duhet zhvilluar një fushatë për vetëdijesim. Qoftë procesi zgjedhor të shkojë me incidente, apo qoftë të dështojë procesi zgjedhor, Maqedoninë nuk do ta presin ditë të mira në aspektin e  eurointegrimit. Procesi i anëtarësimit në NATO do të vazhdojë me shumë vështirësi”,- u shpreh politologu, Qani Nuhiu.

Subjektet politike shqiptare qëndrimet në rrethin e dytë do t’i ndërtojnë në bazë të rezultateve të 21 prillit, kur mbahet rrethi i parë i presidencialeve. (Meral Ismaili, TVM2)