Maqedoni
Rasti “Monstra", Raufi: Pres që “bombat” t’i dëgjojmë në fund
27.03.2019 16:39
Bisedat e përgjuara të dala nga të ashtuquajturat "bomba"....

Bisedat e përgjuara të dala nga të ashtuquajturat "bomba", e që kanë të bëjnë me rastin "Monstra", me gjasë PSP do t’i prezantojë në fund të procesit gjyqësor. Kështu vlerëson avokati mbrojtës, Naser Raufi, sipas të cilit, për momentin Prokuroria Publike Speciale ka mbaruar me provat e saj dhe se seanca e radhës do të vazhdojë me dëshmitarë të mbrojtjes. Raufi njofton se si mbrojtje kanë siguruar edhe dëshmi plotësuese, si verbale ashtu dhe materiale. Bisedat nga transkriptat telefonike për disa seanca janë dëgjuar me dyer të mbyllura për opinionin, përfshirë dhe seancën e sotme.
“Para se të dëgjohen “bombat”, do të ketë edhe rikonstruim te liqeni i Smillkovës nga ana e trupit gjyqësor, por mendoj që prokuroria bile pasi të jenë provat e palës mbrojtëse, që në fund t’i japë të ashtuquajturat “bomba”. Sipas informatave që kam në këtë stadium, kur i mbaruan provat e vjetra, nuk i përmendën të ashtuquajturat “bomba” që do t’i jap si dëshmi. Unë mendoj se PSP do të pres edhe palën mbrojtëse me dëshmitë e veta dhe në stadiumin për prova shtesë dhe atëherë nga fundi i seancës mendoj se do të jenë të prezantuara si prova”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Mbetet e paqartë se pse të gjitha dëshmitë materiale e mbajnë vulën e sekretit shtetëror. Sipas tij, ky kualifikim ka për qëllim që në vetëdijen e opinion të krijohet përshtypja se bëhet fjalë për diçka shumë të rëndësishme dhe serioze.
“Mund të them lirisht se 90% prej tyre janë intime-private. Edhe për PSP-në nuk është e kuptueshme se pse janë prova dhe pse e kanë atë vulën e sekretit shtetëror”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
Seanca e radhës për rastin “Monstra” do të vazhdojë më 18 prill me dëshmitë e mbrojtjes së të akuzuarve.
FLORIJE BELULI KAMBERI
