Presionet ndaj administratës, Mançevski: Jo më kërcënime, denonconi rastet

27.03.2019 16:49

Administrata do t’i mbajë duart larg Zgjedhjeve Presidenciale....

Administrata do t’i mbajë duart larg Zgjedhjeve Presidenciale, të gjithë ata që akuzojnë, pengojnë dhe kushtëzojnë punën e administratorëve publikë do të dënohen në bazë të ligjeve, thotë  ministri i administratës, Damjan Mançevski. Resori që drejton ka gati edhe për këto zgjedhje mekanizmin që i mundëson çdo administratori të lajmërojë çfarëdolloj presioni eventual gjatë zgjedhjeve, e të zgjedhë vetë nëse dëshiron të mbetet anonim apo të publikojë të dhënat e tij. Paralajmëroi mbrojtje për çdo administrator që denoncon presionet.

“Presion, kërcënim dhe keqpërdorim të Administratës Publike në fushatë zgjedhore gjatë Zgjedhjeve Presidenciale nuk do të ketë. Jemi duke punuar fuqishëm që të kemi një administratë profesionale, e cila do të jetë e përkushtuar në punë dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve, administratë që nuk do të jetë në shërbim të partive politike apo interesave personale”,- u shpreh ministri i shoqërisë informative dhe administratës, Damjan Mançevski.

Por, mekanizmi që do të përdoret edhe në zgjedhjet e prillit, nuk rezultoi si i suksesshëm në zgjedhjet e kaluara. Shumë pak administratorë guxuan të denoncojnë presionet që iu bënë në vendin e punës. (Fitim Kryeziu, TVM2)