Gabimet nëpër tabela, Qeveria: Gabimet teknike rregullohen, për të tjerat ka ligj
Vendosja e tabelave nëpër institucione ka filluar....

Vendosja e tabelave nëpër institucione ka filluar, por gabimet që u vërejtën në disa prej tyre, ku u respektua ndryshimi i emrit, por jo edhe ligji i gjuhëve, nga qeveria cilësohen vetëm si çështje teknike që do rregullohen shumë shpejt.
Zëdhënësi Boshnjakovski rikujtoi se çdo shkelje e qëllimshme e Ligjit për përdorimin e gjuhëve do të dënohet, por përkujtoi se megjithatë ekzekutivi punon në frymën e bashkëpunimit, e jo me principin e dënimeve. Pra, nuk dënon qeveria, por ligji.
“Nuk punojmë në principin e dënimeve, por punojmë në frymën e bashkëpunimit, miqësisë dhe mirëkuptimit. Ligjet në Republikën e Maqedonisë që janë miratuar dhe kanë hyrë në fuqi, patjetër që duhet të respektohen. Dënimet pasojnë varësisht prej asaj që është përcaktuar me ligj. Ja është vendosur tabelë, është me gabime, është çështje teknike dhe do të ndryshohet, nuk them në asnjë mënyrë për ata që do të shkelin ligjin qëllimisht”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Pak ditë më parë, tabela pa mbishkrime në gjuhën shqipe u vendosën në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe në Muzeun Arkeologjik, Ministria e Mbrojtjes pasi publikoi konkursin për shkrimin e esesë me rastin e 70 vjetorit të krijimit të NATO-s vetëm në gjuhën maqedonase dhe angleze, pas reagimeve të opinionit korrigjoi konkursin dhe shtyu afatin për paraqitje edhe për pesë ditë. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
