Shitja e “Monopolit”, ish të punësuarit: Na i shitën aksionet pa na pyetur

27.03.2019 17:15

Ish punëtorët e fabrikës së duhanit në Tetovë “Monopol”....

Ish punëtorët e fabrikës së duhanit në Tetovë “Monopol”, që njëkohësisht kanë edhe aksionarë të saj, kanë protestuar për shitjen e fabrikës “Tetova Tabak”, sipas tyre, që është bërë në rrethana të dyshimta.

Ata janë fshirë edhe nga regjistri qendror si aksionarë dhe parakontrata e shitblerjes është nënshkruar  pa njoftim paraprak të aksionarëve.

“Monopoli, siç e njohim ne, është shitur ne rrethana të dyshimta, e tërë prona ka kaluar në emër të shitësit, është shitur përmes një parakontrate ,që sipas nesh është manipuluar me aksionet. Me këtë ne humbim edhe aksionet dhe rrogat tona. Në regjistrin qendror ne më nuk kemi aksione, na i kanë fshirë dhe na thanë se kjo është bërë pasi firma ka shkuar në falimentim, po pa asnjë njoftim tonin paraprak”,- deklaroi aksionari, Darko Gjorgjievski.

ARIFI: S’KAM INFORMACION, S’KAM PARË AS NDONJË DOKUMENT

Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se në komunën nuk ka arritur asnjë dokument për shitblerjen e “Monopolit”.

“Në komunën e Tetovës, në kuadër të këtij procesi nuk ka ndonjë informacion, dhe asnjë dokument që flet për shitblerje, të paktën jo deri më sot”,- u shpreh kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Por sipas informacioneve që arritëm të sigurojmë, shitblerja është bërë edhe atë sipas procedurave ligjore. Jozyrtarisht mësojmë se blerësi është një afarist i njohur për tetovarët. (Visar Sadiki, TVM2)