Maqedoni
Raporti i Avokatit të Popullit për 2018-n: Revanshizmi vazhdon, ankesa edhe ndaj gjyqësorit
27.03.2019 17:30
Dyfishohet numri i ankesave të qytetarëve ndaj gjyqësorit që kryesisht kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore....

Dyfishohet numri i ankesave të qytetarëve ndaj gjyqësorit që kryesisht kanë të bëjnë me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, por edhe me pakënaqësitë ndaj vendimeve gjyqësore, nënvizohet në raportin vjetor të Avokatit të Popullit. Qytetarët konsiderojnë se vendimet gjyqësore janë sjellë njëanshëm, në mënyrë selektive, nën presion dhe motivim politik. Raporti tregon edhe për vazhdimin e praktikës së revanshizmit politik edhe në 2018.
“Vazhdon praktika e revashizmit partiak pas çdo cikli zgjedhor, e cila ishte evidente në sferën e arsimit dhe mbrojtjes së fëmijëve si gjatë zgjedhjes së kandidatëve gjatë punësimit, po ashtu edhe gjatë transformimit të marrëdhënieve të punës nga koha e caktuar në kohë të pacaktuar si dhe në raport me vazhdimin e kontratave për punësime”,- tha zëvendëse e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
Raporti tregon rritje të theksuar të numrit të ankesave kundër diskriminimit etnik dhe politik, si dhe mbrojtje nga mobingu në vendin e punës. Nuk ka ndryshime as në kushtet e burgjeve, por gjendja është alarmante edhe lidhur me të drejtat e fëmijëve, posaçërisht në pjesën e dhunës në shkolla.
“Numër i madh i ankesave janë parashtruar për mosmarrjen e masave për padi penale dhe parashtresave të tjera nga qytetarët. Mosmarrjen e masave për mbrojtjen e jetës. Shkeljen e të drejtave gjatë realizmit të së drejtës për migrim dhe mbrojtje të përkohshme, si dhe ankesa ne lidhje me torturime gjatë kryerjes së detyrës”,- tha zëvendëse e avokatit të popullit, Vaska Bajramovska-Mustafa.
Në raport thuhet se gjatë vitit 2018 Avokati i Popullit është marrë me gjithsej 4.482 lëndë, 50 prej të cilave janë iniciuar nga vetë institucioni, ndërsa krahasuar me vitin 2017, vërehet ulje e shkeljeve të konstatuara për 7,60 për qind.
LEUNORA KALIQI
