Statusi i PPS-së, grupet punuese vazhdojnë punën të enjten
Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një kompromisi për Prokurorinë Speciale mes Qeverisë dhe opozitës maqedonase....

Vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një kompromisi për Prokurorinë Speciale mes Qeverisë dhe opozitës maqedonase. Grupet e punës do të takohen të enjten në mbrëmje për të harmonizuar qëndrimet rreth propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, i cili parasheh inkorporimin e Speciales në korniza të Prokurorisë së Përgjithshme.
Sipas Qeverisë, do të shqyrtohen memorandumet, sipas VMRO-DPMNE-së do të shqyrtohen 65 amendamentet që kjo e fundit pretendon se i ka dërguar në adresë të Ministrisë së Drejtësisë.
“Nesër në orën 18, në Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësues të VMRO-DPMNE-së do të kenë takim me përfaqësuesit e Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë sa u takon memorandumeve të dorëzuara”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
Për përmbajtjen e amendamenteve, detaje nuk jep as partia që pretendon se i ka hartuar ato.
“Nesër do të ketë takim mes dy grupeve në Ministrinë e Drejtësisë, ekipi i VMRO-DPMNE-së dhe ekipi i pushtetit. Nuk do të hyja në pjesën përmbajtjesore të amendamenteve. Nesër pas takimit do të mund të bisedojmë për më shumë detaje në këtë temë”,- theksoi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
VMRO-DPMNE njoftoi se propozim amendamentet i ka dërguar në adresën e ministres së drejtësisë, Renata Deskoskës, dhe se amendamentet janë në harmoni me të drejtën ndërkombëtare, praktiken e gjykatave ndërkombëtare dhe konventat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Aktualisht, dallimet mes palëve janë të mëdha. Opozita kërkon Prokurori Speciale në kuadër të Prokurorisë për krim të organizuar, por me kompetencë për të zbardhur edhe rastet e mëhershme që nuk burojnë nga përgjimet e paligjshme dhe nuk ishin në kompetencë të Speciales; komision hetimor për punën e deritanishme të Speciales dhe zgjedhjen e një ekipi të ri, si dhe zgjedhjen e kryeprokurorit publik me propozim të opozitës.
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit në nivele të larta, përkatësisht rirregullimi i statusit të PPS-së, është një ndër kushtet kryesore për çeljen e bisedimeve për anëtarësim në BE. Për këtë qëllim pretendohet që Ligji të miratohet para qershorit, për të bindur Holandën dhe Francën, dy vendet anëtarë që kërkojnë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
