Shuhet SIMO, Kuvendi i jep dritë të gjelbër Ministrisë së re
Me 80 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”...

Me 80 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “të përmbajtur”, Kuvendi miratoi ndryshimet e ligjit për Qeverinë. Me këtë, kuvendi i dha dritë jeshile formimit të Ministrisë së re për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive dhe shuarjes së Sekretariatit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
“Propozim-ligjin në tërësi e vë në votim. Ju ftoj të votojmë. Gjithsej votuan 80 deputetë. Të gjithë 80 deputetët “për”, “të përmbajtur” nuk ka, “kundër” nuk ka, konstatoj se kuvendi e miratoi Ligjin për ndryshimin e Ligjit për qeverinë e RM-së”,- deklaroi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Kreu i kuvendit u dashtë që ta prolongojë votimin për një kohë të caktuar, pasi që në sallë nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve. Ai disa herë i ftoi deputetët që të futen në sallë, për faktin se për t’u miratuar ndryshimet nevojitej shumicë prej 2/3.
Nga BDI miratimin në kuvend të ligjeve e cilësojnë si avancim të Sekretariatit nga një shërbim administrativo - teknik në një ministri me të gjitha kompetencat ekzekutive. (Naim Ramadani, TVM2)
