Kulturë

Kinematografi, “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” në MIFF. Seriali së shpejti edhe në ekranin e TVM 2

27.03.2019 18:18

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, i regjisorit....

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”, i regjisorit, Kushtrim Bekteshi, po përjeton një fillim të shkëlqyer në rrugëtimin nëpër festivale.
 
Filmi është pranuar në selektimin zyrtar të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë, në pjesën e filmave jashtë garës, një sukses ku për një film debutues që bëhet pjesë e një festivali të kategorisë A. Nuk kishte si të mos ndodhte kështu, pasi në kastin profesionist të atyre që bënë të mundur realizimin e filmit, janë përfshirë edhe aktorët më të mirë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria. Premiera e filmit do të jetë këtë të premte në kinemanë Cineplex-Shkup, me fillim në orën 19:30. 
 
“Besoj që na është hapur një derë e madhe, sepse të selektohesh në festival të kategorisë A, në filmin e parë të metrazhit të gjatë, mendoj që është një sukses dhe satisfaksion i madh për gjithë atë mund që është bërë. Dhe sigurisht besoj që ky festival pastaj do i hapë edhe dyert për festivale tjera”,- theksoi regjisori, Kushtrim Bekteshi.
 
Filmi “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar” është bashkëprodhim në mes Manufaktura Production në Maqedoni, Media&Film Production në Kosovë, Ska-Ndal Production në Shqipëri dhe Skupifestival në Maqedoni.  Është i mbështetur financiarisht nga Agjencia e Filmit të Maqedonisë, Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë, Radio Televizioni Kombëtar i Maqedonisë - Programi në Gjuhën  Shqipe, Radio-televizioni i Kosovës dhe Radiotelevizioni i Shqipërisë.
 
Menjëherë pas premierës së tij në kinema, filmi do të ketë edhe një tjetër premierë, pak më ndryshe. TVM2 do të fillojë emetimin e serialit më të ri shqiptar “Pranverë e paharruar në fshatin e harruar”.
“Televizionet janë futur me buxhet, me kontratë, që ai film pastaj do të ketë ekslusivitetin të shfaqet në televizion edhe si film i tërë, por edhe i ndarë në disa pjesë. Dhe kjo është e mirë edhe për publikun, sepse në film disa skena shumë të bukura që me shumë dhimbje i kam heq, do të rikthehen në seri”,- tha regjisori, Kushtrim Bekteshi.
 
Shumë shpejt, në ekranin e Servisit Publik, do të mund të ndiqni peripecitë e grave të një fshati të humbur, të cilat kanë probleme me burrat e tyre që harrojnë familjet për të shkuar në shtëpinë publike të sapohapur në fshat. Një serial që trajton temën e realitetit socialo - shoqëror, përmes situatave sa tragjike aq edhe komike, e që shpresojmë të kthehet në serialin tuaj të preferuar të javës.
 
FJOLLA TELAI