Maqedoni

Rikonstruimi i rrugës Kollarë - Kërçovë përfundon në muajin qershor

27.03.2019 19:30

Ministri i Transportit dhe lidhjeve Goran Sugarevski sot inspektoi punët ndërtimore të rikonstruimit....

Ministri i Transportit dhe lidhjeve Goran Sugarevski sot inspektoi punët ndërtimore të rikonstruimit në aksin rrugor Kollarë-Kërçovë të cilat priten të përfundojnë në muajin qershor.
 
Rikonstruimi i rrugës Gostivar – Kërçovë, që kap vlerën 8 milion euro, do të mbyllet me fazën e dytë të ndërtimit, që përfshin aksin rrugor prej 11 kilometrash nga fshati Kollarë deri në Kërçovë. Punët ndërtimore zhvillohen sipas dinamikës së paraparë dhe ato do të përfundojnë në fund të muajit qershor, tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski, gjatë inspektimit të punëve ndërtimore të fazës përfundimtare që do të kushtojë 1.6 milion euro.
 
“Projekti ka filluar të realizohet vitin e kaluar, tani zhvillohen punimet e fazës së dytë të magjistrales Gostivar - Kërçovë, një segment shumë  i rëndësishëm i korridorit 8 dhe një rrugë nacionale që frekuentohet nga rreth 4 milion automjete në vit”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski. 
 
Me fillimin e sezonit ndërtimor, nënvizoi ai, kanë filluar punimet në të gjitha rrugët e Maqedonisë së Veriut që kapin shumën prej 1 miliard euro, mjete këto të parapara nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore që duhet të investohen gjatë këtij viti në infrastrukturën rrugore të vendit.
 
Ministri Sugarevski njoftoi se krahas punimeve që zhvillohen në autostradën Kërçovë - Ohër, punohet në mënyrë intensive edhe për autostradën e re Kërçovë – Gostivar, që do të realizohet me mjetet e BE-së si pjesë integrale e korridorit 8. 
 
SHABAN DALIPI