Maqedoni

Reformat në gjyqësor, Saiti: shënohet progres, por edhe vërejtje. Llazarova: gjyqësori pa reforma, evidente. Golbstajn: besimi në sistemin gjyqësor mbetet i ulët

28.03.2019 14:20

Reformat në gjyqësor, si kusht kryesor për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve, shënojnë progres, por të shoqëruar me vërejtje të mëdha...

Reformat në gjyqësor, si kusht kryesor për marrjen e datës për fillimin e bisedimeve, shënojnë progres, por të shoqëruar me vërejtje të mëdha, vlerësojnë autoritetet gjyqësore.
 
Gjykatësi në Gjykatën Supreme, Xhemali Saiti, thekson se mbetët edhe shumë punë në këtë drejtim dhe është i vetëdijshëm se besimi i qytetarëve në institucionet e gjyqësorit është i ulët.
 
“Vlerësoj se ai avancim është arritur dhe ai notohet në raportin e Departamentit të Shtetit dhe raportin e progresit të Komisionit Evropian për Maqedonisë, por mbetet të analizohet "pjesët e këqija" të atij raporti. Ato raporte notojnë progres, por edhe vërejtje që udhëzojnë në atë se ne duhet të korrigjohemi. Akoma kemi të notuar vërejtje sa i përket korrupsionit, mosndëshkimit dhe vërejtje sa i përket sistemit të jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut. Unë jam i vetëdijshëm se kemi problem me besimin dhe këtë nuk e them për herë të parë”,- deklaroi gjykatësi suprem, Xhemali Saiti.
 
Por, ish gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të drejta të njeriut, Mirjana Llazarova Trajkova, thotë se ka probleme evidente që kanë të bëjnë me mosveprimin sipas parimeve për gjykim të drejtë, vendimet gjyqësore të pashpjeguara, qasje jo e barabartë e palëve në procedurë, gjykime të gjata dhe joefektive, shqiptim i shpeshtë i masës së paraburgimit. Problem janë edhe aktgjykimet e parealizuara.
 
“Nuk shoh lëvizje të madhe në Gjyqësorin e Maqedonisë. Në këto dy vite të fundit gjërat shkojnë në ndryshime dhe plotësime ligjore, por në princip reformat në gjyqësor detektohen, përmes vendimeve, veprimeve të gjykatës, ndërsa kjo akoma nuk është e dukshme në atë mënyrë si pritet. Gjykatës i paraprinë sfidë për ndërtimin e integritetit dhe kthimin e dinjitetit”,- tha ish gjykatësja në Gjykatën Evropiane për të drejta të njeriut, Mirjana Llazarova Trajkova.
 
Edhe nga misioni i OSBE-së në vend potencojnë se besimi në sistemin gjyqësor mbetet i ulët.
 
“Gjykatat janë pjesërisht të pavarura dhe paanshmëria gjyqësore akoma është në nivel të ulët. Edhe një fakt tjetër dëshpërues është se niveli i besimit në gjyqësorin e vendit është shumë i ulët”,- theksoi Xhefri Golbstajn nga OSBE.
 
Sa i përket mendimit juridik të Gjykatës Supreme për PSP-në dhe moskompetencën e tyre që pas afatit të ngrit aktakuza, për gjykatësin suprem, Xhemali Saiti, kjo nuk do të thotë se dikush nuk duhet të dënohet, por që shteti ka institucione dhe ajo është Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut që është e obliguar t’i ndjekë të gjithë kryerësit e veprave penale nga çfarëdo lloj baze.
 
Gjykatësit njëkohësisht janë pro hetimit nga Komisioni për Antikorrupsion për gjendjen pronësore të tyre, duke theksuar se një analizë e tillë duhet t’u bëhet të gjithë gjykatësve dhe bartësve tjerë të funksioneve.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI