Maqedoni

Apeli vendosi: Ul në 4 vjet dënimin për Jankullovskën për “Tank”

28.03.2019 15:12

Gjykata e Apelit - Shkup i ka pranuar pjesërisht ankesat e ish ministres së brendshme, Gordana Jankullovskës për lëndën “Tanku”...

Gjykata e Apelit - Shkup i ka pranuar pjesërisht ankesat e ish ministres së brendshme, Gordana Jankullovskës për lëndën “Tanku”, duke ulur në 4 vite dënimin parësor të dhënë me aktgjykimin e shkallës së parë, që caktoi 6 vite burg për ish numrin një të MPB-së, të akuzuar për blerjen e  mercedesit luksoz në lëndën e hapur nga PSP.
 
Në pjesën tjetër, Gjykata e Apelit në tërësi e konfirmoi aktgjykimin e shkallës së parë.
 
“Duke vepruar sipas lëndës penale KOKZH-46/18, në opinion i njohur si “Tank”, pas seancës së mbajtur publike, Gjykata mori vendim me të cilin ankesat e së akuzuarës, Gordana Jankullovskës, nga Shkupi, pjesërisht i pranoi, në mënyrë që e ndryshoi aktgjykimin e shkallës së parë në pjesën e vendimit për dënimin dhe të akuzuarën e dënoi me katër vjet burg”,- thuhet në kumtesën e Gjykatës së Apelit.
 
Nga Apeli informojnë se vendimi i tillë do të publikohet në tërësi në ueb faqen e Gjykatës në afat të përcaktuar me Ligjin për menaxhim me lëvizjen e lëndëve në gjykata. Ish ministrja e  brendshme, Gordana Jankullovska, u dënua me gjashtë vjet burg në një proces të ndarë nga të akuzuarit e tjerë për rastin “Tanku”.
 
Për këtë rast u dënua me dy vite burg edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski, por ai u arratis në Hungari për t’i shpëtuar kryerjes së dënimit.
 
Me 4 vjet e 6 muaj burg u dënua edhe ish ndihmës ministri në MPB, GJoko Popovski, por edhe atij Apeli ia zvogëloi dënimin pas ankesës. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI