Anketa e “Societas Civilis”: Drejtorët i zgjedh partia, kriteret s’respektohen

28.03.2019 15:43

Si të zgjidhen njerëzit e kualifikuar në pozicionet udhëheqëse në ndërmarrjet publike...

Si të zgjidhen njerëzit e kualifikuar në pozicionet udhëheqëse në ndërmarrjet publike, kjo është ende sfidë, pasi vazhdon të jetë evidente mungesa e kritereve dhe transparenca. Kështu tregojnë rezultatet nga anketa e realizuar në 130 ndërmarrje shtetërore nga Instituti i Demokracisë “Societas Civilis”.

Hulumtimi nxori në pah mungesën e theksuar të përvojës dhe nivelit të duhur të arsimit tek strukturat udhëheqëse.

Sipas të anketuarve,  përkatësia partiake edhe më tej mbetet kriteri kyç për emërimin e udhëheqësve në ndërmarrjet shtetërore.

“Shumica e qytetarëve konsiderojnë se përkatësia partiake është kriteri kyç për emërime në funksione udhëheqëse për dallim prej arsimit dhe profesionalizmit”,- theksoi Misha Popoviç nga Instituti “Societas Civilis”.

Gallouej: Më shumë transparencë, paguheni nga populli

Ambasadorja britanike, Rejcell Galouej, përkujton se qytetarët presin transparencë nga ndërmarrjet shtetërore, sepse ato financohen nga tatimet e tyre. Shqetësues mbetet përfaqësimi i femrave në pozicionet udhëheqëse.

“Ne si qytetarë investojmë në institucione përmes tatimeve që paguajmë dhe presim nga ata transparencë për mënyrën se si harxhohen paratë, si emërohen udhëheqësit dhe si e kryejnë funksionin në të cilin janë emëruar. Vetëm 29% e grave janë në struktura udhëheqëse dhe prej tyre vetëm 5% janë drejtoresha, kjo flet se ende na pret shumë punë”,- tha ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Rejçell Gallouej.

Pr/ligji për shërbimet e larta udhëheqëse, Mançevski:  Meritokraci dhe mundësi të barabarta

Ministria për Shoqëri Informatike po punon rreth propozim ligjit për shërbimet e larta udhëheqëse, në bashkëpunim me Komisionin Evropian. Ministri Mançevski thotë se ligji parasheh kritere të qarta në përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse.

“Qëllimi ynë është që të përforcojmë parimet e meritokracisë, mundësive të barabarta për të gjithë, përfaqësimit adekuat dhe për herë të parë kemi si obligim ligjor barazinë mes gjinive”,- tha ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.

Projekti “Drejt udhëheqjes së mirë në ndërmarrjet shtetërore dhe trupave të pavarur”, financohet nga Mbretëria e Bashkuar, rekomandimet e tij do të kyçen në propozim ligjin për shërbime të larta udhëheqëse.

Kur ligji të miratohet, Maqedonia do të jetë vendi i parë në rajon që do të ketë, të paktën në letër, kritere qartë të përcaktuara për përzgjedhjen e drejtuesve më cilësorë të ndërmarrjeve publike dhe shtetërore. (Flutura Latifi, TVM2)