Pyetje deputetësh, debate për turizmin dhe shëndetësinë

28.03.2019 16:39

Ministria e Ekonomisë në qershor do të sjellë strategjinë e re për turizmin dhe më pas do të nis procedura parlamentare....

Ministria e Ekonomisë në qershor do të sjellë strategjinë e re për turizmin dhe më pas do të nis procedura parlamentare. Paralajmërimi vjen nga ministri i resorit të ekonomisë, Kreshnik Bekteshi. Opozita kërkon që strategjia të debatohet edhe në kuvend edhe me palët e interesuara.

“Një strategji e cila do të përpilohet në mënyrë transparente ku do t’i thirrim të gjitha anët e tanguara të kontribuojnë. Për momentin do të përqendrohemi në drejtimin e asaj se si do ta zhvillojmë turizmin jo vetëm duke shfrytëzuar liqenet e Ohrit, të Strugës dhe disa lokacione tjera në Maqedoni, por do të përqendrohemi edhe në mënyrat alternative, ku do t’i shfrytëzojmë të gjitha burimet tona dhe pasuritë e këtij shteti me të vetmin qëllim, që të zhvillojmë edhe turizmin rural”,- tha ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

“Do të ishte mirë që për këto dokumente strategjike të bisedohet edhe në parlament, që të informohemi sikurse ne deputetët por edhe i gjithë opinioni”,- u shpreh Liljana Popovska nga DOM.

Nuk munguan as pyetjet për ekologjinë, arsimin, si dhe lëshimin në qarkullim të autostradës Milladinovc – Shtip, për të cilin kryeministri paralajmëroi se do të jetë funksional në maj. Pyetjet përfunduan në kritika për ministrin e shëndetësisë, Venko Filipçe, për mosmbartjen e përgjegjësisë për situatën me fruthin.

“Në përgjigjen tuaj me shkrim keni vetëm kritika për politikat e qeverisë së kaluar. Opinioni nuk ka harruar se ju ishit këshilltar i ministrit të shëndetësisë të ish pushtetit dhe pse ju nuk i keni thënë vërejtjet që atëherë. Mospasja e vizionit do ta kushtojë popullin dhe shtetin”,- tha Sllagjana Mitovska nga VMRO-DPMNE.

Deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzuan ministrat se brenda afatit prej 22 ditëve nuk iu janë përgjigjur 26 pyetjeve me shkrim të 16 deputetëve. Këtë e përgënjeshtroi koordinatori i LSDM–së, Jovan Mitreski, i cili për transparencë kërkoi që sikurse pyetjet, edhe përgjigjet të publikohen në ueb faqen e kuvendit. (Meral Ismaili, TVM2)