Zgjedhjet presidenciale dhe lokale, Xhaferi me apel për fushatë korrekte
Zgjedhjet korrekte dhe me rezultat të pranuar, sipas Xhaferit, janë në interes të shtetit ....

Para 1 prillit, datës kur edhe zyrtarisht fillon fushata për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe lokale, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, u ka bërë apel kandidatëve dhe partive politike për fushatë korrekte dhe të mbajnë llogari për nivelin dhe kulturën politike të komunikimit për t’ju mundësuar kështu qytetarëve të kenë qasje më të drejtë në programet e partive dhe kandidatëve që të mund të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar, të bindur për programin e personit të partisë, për të cilin japin votën.
“Besoj që 3 kandidatët, edhe të mbështetur nga qytetarët por dhe nga partitë politike, kanë kapacitetin intelektual që nivelin e fushatës dhe korrenspondimin mes tyre ta kenë nivelin e duhur, ashtu siç reflektojnë në shoqëri, këto janë tiparet që duhet të sigurojnë parakushtet që zgjedhjet të jenë të lira, të qeta dhe të pranueshme për të gjithë”,- tha kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
Zgjedhjet korrekte dhe me rezultat të pranuar, sipas Xhaferit, janë në interes të shtetit dhe një nga kushtet për datë për bisedime me BE-në. Dhe në këtë kontekst ai shpreson që të gjithë pjesëmarrësit të kontribuojnë që vlerësimi të jetë sa më pozitiv.
“Kjo është interes i qytetarëve të RMV-së, interes i shtetit kundrejt pritshmërive në relacion me fillimin e mundshëm të bisedimeve paraaderuese me Unionin Europian dhe ne kontest të asaj që është dhe procesi ratifikimit të procedurave, gjegjësisht protokollit për anëtarësim në NATO është një nevojë tjetër që zgjedhjet të jenë të pranueshme”,- tha kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Në takimin me gazetarët i pyetur se çfarë ndodh nëse nuk arrihet census në rrethin e dytë të zgjedhjeve, Xhaferi rikujtoi se sipas Kushtetutës dhe ligjit e gjithë procedura përsëritet, ndërsa kryetari i Kuvendit bëhet ushtrues i detyrës së funksionit deri në zgjedhjen e presidentit të ri. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
