PSP, Zaevi dhe Deskoska takuan opozitën shqiptare
PSP të jetë trup i veçantë, të mos ketë mandat të kufizuar...

PSP të jetë trup i veçantë, të mos ketë mandat të kufizuar, ndërsa përgjimet të përdoren si indicie dhe dëshmi, janë kërkesat kryesore të cilat përfaqësuesit e Lëvizjes “Besa” dhe Aleancës për Shqiptarët i kanë prezantuar në takime të ndara me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe ministren e drejtësisë, Renata Deskoska, gjatë diskutimit lidhur me Ligjin për Prokurori Publike.
Kasami: “Bombat” të mbeten edhe më tej valide
“Ne si Lëvizje BESA e përkrahim funksionimin e PSP-së me gjithë kapacitetin e saj, këtu dua të theksoj faktin e shfrytëzimit të përgjimeve edhe më tutje në ngritjen e procedurave dhe përcjelljen e procedurave që kanë të bëjnë me përgjimet dhe për atë se pse u themelua PSP. Ne si Lëvizje BESA, do të insistojmë që PSP të funksionojë edhe më tutje me kapacitetin e plotë të saj dhe t’i përmbyllë të gjitha lëndët duke u bazuar në indiciet që dalin nga përgjimet”,- tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
Sela: Të formohet edhe gjykatë speciale
“ASh është për idenë që PSP të vazhdojë me punën e saj. Duhet të vazhdojë bazuar në ligjin paraprak të PSP-së. Ne urojmë që pranohet propozimi ynë që të mos futet PSP në kuadër të Prokurorisë së Përgjithshme, por të funksionojë si Prokurori Speciale, ashtu siç u themelua dhe ta realizojë qëllimin final, përkundrazi të mbindërtohet akoma më tepër dhe bashkë me të të themelohet edhe Gjykatë Speciale që do të merret me rastet e PSP-së. PSP nuk duhet të ketë kufizime”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Deskoska: Me rëndësi ASh dhe BESA e mbështesin PSP-në
Bisedat ishin konstruktive dhe dy partitë shqiptare në opozitë në parim mbështesin punën e PSP-së, teksa bisedimet do të vazhdojnë ditëve në vijim, tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskovska, pas takimit.
“Bisedat që i zhvilluam kanë të bëjnë me dispozita të caktuara. Kryesisht është e pranueshme mbështetja e tyre parimore për mbijetimin e PSP-së, si organ i cili do të ketë kompetenca efikase dhe që do të jetë prokurori e veçantë, që praktikisht edhe është pjesë e ligjit të tanishëm. Në pjesën e shfrytëzimit të përgjimeve si materiale për dëshmi do të bisedojmë, do t’i shohim mundësitë dhe do të negociojmë edhe më tutje, por konsiderojmë se mbështetja e përgjithshme e PSP-së është më e rëndësishme si rezultat i bisedimeve të sotme”,- u shpreh ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Negociatat pritet të vazhdojnë nëpërmjet grupeve të punës, ndërsa varësisht nga epilogu i tyre, Lëvizja BESA dhe ASh paralajmërojnë se do të dorëzojnë amendamente për vërejtjet e tyre. (Naim Ramadani, TVM2)
