Kumanovë, zjarri shkrumbon pyjet në Karadak
Për të pestën ditën ditë radhazi flakët e zjarrit vazhdojnë të shkrumbojnë dhjetëra hektarë pyje në Malësinë e Likovës....

Për të pestën ditën ditë radhazi flakët e zjarrit vazhdojnë të shkrumbojnë dhjetëra hektarë pyje në Malësinë e Likovës. Aktualisht zjarri është aktiv në pjesën mbi fshatin Nikushtak, madje shumë afër fshatit.
“Gjendemi mbi fshatin Nikushtak, siç po e shihni kemi zjarre aktive, prej në mëngjes jemi këtu, janë përfshirë nga zjarri mbi 40 hektarë tokë. Ne si Ekonomi e Pyjeve jemi duke bërë gjithçka që të lokalizojmë zjarret, por ja që këto janë mundësitë tona, ditën e djeshme intervenuan me anë të aeroplanëve nga ana e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, mirëpo brenda natës përsëri aktivizohen zjarret”,- tha drejtori i N. P. “Pyjet e Maqedonisë” – Kumanovë, Luan Bajrami.
Ekipet e zjarrfikësve dhe të ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë” po intervenojnë pa pushim me pompa dore të ndihmuar edhe nga avionët e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, por sapo shuhet një vatër, shfaqet një e re.
“Gjatë tërë javës kemi intervenuar, e sidomos dje, si Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, me aeroplan kemi intervenuar 6 herë, edhe sot, për shkak të terrenit të papërshtatshëm dhe pamundësisë për të depërtuar me këmbësori. Sot përsëri kërkuam që të intervenohet me anë të aeroplanëve”,- theksoi Qenan Beqiri nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim – Kumanovë.
Imami i fshatit Nikushtak, Muhamed Jashari, akuzon se pyjet po shkatërrohen përmes zjarrvënies së qëllimshme.
“Dikur malin na e shkatërruan përmes vjedhjes në mënyrë jonjerëzore. Organet kompetente nuk na e mbrojtën malin, jemi dëshmitarë se edhe këtu rreth xhamisë, por edhe nga të gjitha rrugët kalojnë para syve tanë kamionë të panumërt të ngarkuar me dru në mënyrë krejt të zezë, e tani ka filluar edhe mënyra tjetër, ajo e djegies që realisht fillimi ishte prerja e tash djegia dhe si përfundimi mali po shkatërrohet”,- theksoi imami në xhaminë e fshatit Nikushtak, Muhamed Jashari.
Apelet për ndërprerje dhe pengimin e mëtejmë të djegies së pyjeve arrijnë nga të gjitha anët, por për fat të keq Karadaku po digjet sepse personat e pandërgjegjshëm vazhdojnë t’u vënë flakën qëllimisht pyjeve të zonës. (Fatlum Aqifi, TVM2)
