AShAM për NATO-n: NATO është sistem vlerash. Përfitime dhe në ekonomi
NATO nuk është vetëm Aleancë ushtarake dhe politike, por strukturë e cila ndërton një sistem vlerash....

NATO nuk është vetëm Aleancë ushtarake dhe politike, por strukturë e cila ndërton një sistem vlerash brenda vendeve anëtare dhe nxit lëvizje pozitive në më shumë sfera, mes të cilave dhe në ekonomi, konstatuan pjesëmarrësit në konferencën kushtuar çështjeve komplekse në ndërtimin e vlerave dhe sistemin e sigurisë si kusht për integrim në NATO.
Rritja ekonomike pas anëtarësimit në NATO është dëshmuar te anëtaret e reja të Aleancës dhe kjo pritet të ndodh edhe me vendin tonë, vlerësoi kreu i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, Taki Fiti.
“Vendi ynë ka shansin historik që pas pavarësimit, ekonomikisht të valorizojë reformat dhe përparimin drejt integrimit euroatlantik. Se sa do të t’ia dalim, varet nga ne”,- tha kryetari i ASHAM-it, Taki Fiti.
Marrëveshja me Bullgarinë, Marrëveshja e Prespës dhe zbatimi i reformave na sollën deri te qëllimi final, te ftesa për anëtarësim në NATO, tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
“Hapat që ndërmorëm dhe vendimet që morëm nuk ishin të lehta, por ishin tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit tuaj. Marrëveshjet e arritura me fqinjët tanë, Bullgarinë dhe Greqinë, janë dëshmi e pakontestueshme se jemi të pjekur dhe të aftë që të ndërtojmë ura mirëkuptimi, miqësie dhe bashkëpunimi”,- tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Në këtë proces, rëndësi të posaçme kanë marrëdhëniet me fqinjët dhe aleatët e fuqishëm. Me marrëveshjet dypalëshe, Maqedonia e Veriut rregulloi marrëdhëniet me Bullgarinë dhe Greqinë dhe kjo i hapi rrugën procesit eurointegrues, theksoi ambasadori francez, Krisrtijan Timonie.
“Në NATO nuk ka shtete të vogla dhe të mëdha, në parim të gjithë jemi të barabartë në atë sistem, edhe pse për çështje të caktuara kemi mendim të ndryshëm. Ne e shohim aleancën të ndërtuar sipas aseteve, e cila mund të ketë problem të saj për shkak të diskutimeve rreth disbalancit, por ajo është një aleancë mes anëtareve të barabarta që mbështeten në parime. Ne jemi të fortë në këtë aleancë, pasi besojmë se mund të mbrojmë diçka së bashku”,- u shpreh ambasadori i Francës, Kristijan Timonie.
Në këtë frymë, ish presidenti kroat, Ivo Josipoviq, prezantoi përvojat dhe përfitimet e Kroacisë, pas anëtarësimit në vitin 2009. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
