Kuvendi në pushim gjatë zgjedhjeve, ligjet reformuese do të presin presidentin e ri
Xhaferi është i prerë, edhe pse nuk ka pengesë formale që Kuvendi të mbajë mbledhje në kohën e fushatës zgjedhore...

Edhe nëse partitë dakordohen për ligjin e Prokurorisë Speciale, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se për të do të votohet pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale. Zgjedhjen e shefit të ri të shtetit duhet të presin edhe ligjet e padekretuara nga presidenti Ivanov që i janë kthyer sërish kuvendit.
Xhaferi është i prerë, edhe pse nuk ka pengesë formale që Kuvendi të mbajë mbledhje në kohën e fushatës zgjedhore, praktika e deritanishme ka treguar se seancat janë keqpërdorur në funksion të fushatave zgjedhore dhe prandaj nuk do të caktojë seanca gjatë procesit zgjedhor.
Janë rreth 25 ligje të kthyera pa nënshkrimin e presidentit aktual, Gjorge Ivanov, që refuzon të përdorë emrin e ri kushtetues, Republika e Maqedonisë së Veriut. Rivotimi i ligjeve të kthyera në Kuvend duhet të presë seancat që do të caktohen pas 5 majit dhe eventualisht nënshkrimin e presidentit të ri.
Zgjedhjet ngushtojnë kështu afatin kohor për miratimin e pakos së ligjeve reformuese, miratimi i të cilave do të jetë pjesë e raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, që duhet të jetë gati më 29 maj.
Por, kryeparlamentari konsideron edhe se nuk ka nevojë që të shpejtohet dhe se ka hapësirë edhe gjatë majit që ligjet të miratohen, sepse Raportin për vendin KE-ja do ta publikojë më vonë për shkak të zgjedhjeve evropiane parlamentare. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
