KPP: Rekomandim për fillimin e negociatave, në qershor
Komiteti i përbashkët parlamentar mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut...

Komiteti i përbashkët parlamentar mes BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e radhës të mbajtur në Strasburg, i rekomandoi Brukselit t’i caktojnë vendit tonë datë konkrete për fillimin e bisedimeve.
Sipas tyre, Maqedonia e Veriut ka shënuar sukses të dukshëm vitin e kaluar sa i përket qëllimeve strategjike për integrim në BE.
Europarlamentari slloven, Alojz Peterle, vlerësoi faktin që në takim pati unitet mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës, në qëllimin për afrimin e vendit drejt BE-së.
“Kjo mbledhje ishte më ndryshe, kaloi në atmosferë të mirë, nuk pati akuza, por bashkëpunim, me çka shihet se edhe pala qeverisëse dhe ajo opozitare ndajnë ambicie të njëjta evropiane. Mendoj se do të ishte e padrejtë dhe jokorrekte nëse Maqedonia e Veriut nuk merr datë për fillimin e bisedimeve tani”,- tha kryesuesi në Komitetin e Përzier nga PE, Alojz Peterle.
Milevski: të fokusohemi në detyrat e shtëpisë
Por, eurodeputetët përkujtuan se edhe përkundër rekomandimit, Maqedonia e Veriut ende duhet të fokusohet në detyrat e shtëpisë, sidomos reformat në gjyqësor. Dhe këtë e kanë të qartë edhe politikbërësit.
“Tani kanë mbetur të bëhen detyrat e shtëpisë, reformat në gjyqësor, dënimi i veprave penale dhe reformat në administratën publike. Këtu më tepër u notua pastrimi i nepotizmit nga ana e Komisionit shtetëror për parandalimin e korrupsionit”,- tha kryesuesi në Komitetin e përzier nga RMV, Goran Milevski.
Në Samitin e qershorit pritet vendit t’i jepet datë konkrete për fillimin e bisedimeve, por gjithsesi vendimi përfundimtar është në duart e shteteve anëtare të BE-së. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
