Taksistët e licencuar apel autoriteteve: Bllokoni taksitë pa licencë, ose dalim në protestë
Konkurrenca jolojale është kthyer në problem ekzistence për taksistët e licencuar....

Konkurrenca jolojale është kthyer në problem ekzistence për taksistët e licencuar. Vetëm 2400 taksistë posedojnë licenca, teksa numri i taksistëve ilegalë është dyfish më i lartë.
Ka shumë pensionistë që punojnë edhe si taksistë ilegalë pa paguar asnjë kontribut në shtet, duke ua marrë punën taksistëve të rregullt. Sindikatat që përkujdesen për taksistët kërkojnë pajisje me licenca dhe dokumente identifikimi për të gjithë, në të kundërtën paralajmërojnë protesta.
“Ju bëjmë thirrje autoriteteve në afat prej shtatë deri në dhjetë ditë të na therësin për të gjetur një zgjidhje të përbashkët për kërkesat tona, përndryshe ne shumë shpejt do t’i radikalizojmë veprimet tona dhe do të fillojmë me protesta në Shkup”,- deklaroi kryetari i Sindikatës së Taksi-Transportuesve, Gjorgji Mladinovski.
“Në takimet me kryetarin e qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, dhe ministrin e transportit dhe lidhjeve, Goran Sugareskin, u përpoqëm të gjejmë zgjidhje për problemet në transportin me taksi në Shkup. Përpos premtimeve, për fat të keq deri më sot nuk është marrë asnjë veprim apo iniciativë për zgjidhjen e problemeve ekzistuese”,- u shpreh kryetari i Sindikatës së Transportit dhe Lidhjeve, Zoran Dionisiev.
Përveç konkurrencës joligjore, edhe pse nuk paguajnë taksa, taksistët e palicencuar kanë edhe çmimet më të larta në treg, duke dëmtuar kështu edhe qytetarët. Stacionet e taksive janë të stërmbushura pikërisht nga ata taksistë. Ankohen nga sindikata që kanë kërkuar për këtë problem të takohen edhe me kryeministrin Zaev, por nuk kanë marrë përgjigje. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
