Botë

Stoltenberg, mbetet sekretar i NATO-s deri në 2022

29.03.2019 11:51

Vendet anëtare të NATO-s, ia zgjatën të enjten mandatin sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg...

Vendet anëtare të NATO-s, ia zgjatën të enjten mandatin sekretarit të përgjithshëm, Jens Stoltenberg, duke hapur kësisoj mundësinë që ish-kryeministri norvegjez, të bëhet një nga udhëheqësit që ka qëndruar më gjatë në këtë post.
 
Jens Stoltenberg, i cili mori detyrën më 1 tetor të vitit 2014, do të shërbejë në këtë post deri më 30 shtator të vitit 2022.
 
Diplomatët thonë se ai është mjaft popullor në mesin e aleatëve, posaçërisht në sytë e presidentit amerikan, Donald Trump, i cili e ka vlerësuar atë për ndihmën që ka dhënë në shtimin e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes.
 
Në një njoftim nga selia e NATO-s, thuhet se “aleatët shprehën mbështetjen e tyre për punën e sekretarit të përgjithshëm për të përshtatur dhe modernizuar NATO-n dhe për të siguruar që ajo të mbetet e tillë për të ardhmen”.
 
NATO-ja, që dikur është parë nga disa si relikt i Luftës së Ftohtë, rifitoi rëndësinë derisa perëndimi po i kundërvihet Rusisë së ringjallur, sulmeve kibernetike të mbështetura nga shtetet, kërcënimeve të sigurisë në kufijtë e saj dhe sulmeve militante në qytetet evropiane.