Botë
Presidenti meksikan, Trumpit: Migrantët nuk janë problemi jonë, por i SHBA-së
29.03.2019 13:19
Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka kërkuar që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të mos e fajësojë më Meksikën...

Presidenti meksikan, Andres Manuel Lopez Obrador, ka kërkuar që presidenti i SHBA-ve, Donald Trump të mos e fajësojë më Meksikën për problemin me migracionin illegal në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai ka thënë gjithashtu se numri i meksikanëve që e kalojnë kufirin ilegalisht është më i vogël se kurrë më parë.
“Rrjedha e migracionit të meksikanëve në SHBA është shumë e vogël. Meksikanët nuk po kërkojnë më punë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shumica prej tyre janë banorë të vendeve të tjera të Amerikës Qendrore”.
Ky reagim i liderit të Meksikës erdhi pas një postimi të homologut të tij amerikan në Twitter ku ka paralajmëruar mbylljen e këtij kufiri.
Ai ka thënë se “Meksika nuk po bën ASGJË për të ndihmuar në ndaljen e valës së migracionit ilegal”.
“Ky është një problem i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ose është një problem i vendeve të Amerikës Qendrore”, ka thënë Lopez Obrador duke shtuar se ai ka dëshiruar jashtëzakonisht shumë që të punojë me Trump në zgjidhjen e kësaj çështje.
Ai ka thënë gjithashtu se do të përqendrohej në adresimin e shkaqeve kryesore që shkaktojnë migracionin ilegal.
Por, sipas tij, “nuk i takon meksikanëve” që të ndalojnë banorët e Amerikës Qendrore që të largohen nga vendet e tyre.
