RMV dhe Greqia, luftë të përbashkët kundër lajmeve të rreme

29.03.2019 17:01

Lajmet e rreme në Maqedoni përhapeshin nga persona publikë....

Që nga fillimi i bisedimeve për Marrëveshjen e Prespës dhe deri në procedurat aktuale, Maqedonia e Veriut dhe Greqia janë ballafaquar me lajme të rreme, është konstatuar në konferencën në Athinë mbi ndikimin e lajmeve të rreme për Marrëveshjen e Prespës.

Lajmet e rreme në Maqedoni përhapeshin nga persona publikë, por edhe nga gazetarët, edhe rrjetet sociale kanë luajtur rolin e shpërndarjes së lajmeve të rreme, thanë pjesëmarrësit nga ekzekutivi i Maqedonisë së Veriut në këtë konferencë.

“Shembull: në ueb faqen e qeverisë sonë, pak kohë pasi u nënshkrua marrëveshja, u publikua teksti origjinal i marrëveshjes. Në vend të kësaj,  propaganda e rrejshme përhapte lajme se qeveria  e fsheh marrëveshjen. Dezinformatat më së shpeshti bazoheshin në segmente selektive të disa neneve të marrëveshjes të cilave ju jepnin kuptime të reja përmes spekulimeve dhe i paraqitnin si fakte. Të mos gënjehemi, pas këtyre qëndronin njerëz që i njohim, për fat të keq disa prej tyre ishin edhe gazetarë”,- deklaroi ministri i shoqërisë informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.

“Deziformacionet e ndërlidhura me Marrëveshjen e Prespës më së shpeshti bazohen në pjesët selektive të neneve të marrëveshjes, të cilëve u janë dhënë kuptime të reja përmes spekulimeve dhe janë paraqitur si fakte”,- tha ministri pa resor, Robert Popovski.

Edhe pala greke nuk ka kaluar lehtë me lajmet e rreme në periudhën e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës dhe pas saj.

“Mendoj se për fushatën me lajme të rreme kundër Marrëveshjes së Prespës dikush duhet të marrë çmimin Nobel. Të ju them të vërtetën, kur lexoja lajmet se gjoja nuk ekziston më Maqedonia, isha i tmerruar. Konsideroj se për t’i luftuar të njëjtat ne duhet të ndërtojmë ura bashkëpunimi për lajme të përbashkëta të cilat do të shpalosin vetëm një anë të Marrëveshjes së Prespës dhe ajo është ana e ndritshme”,- u shpreh ministri grek  i politikave digjitale, telekomunikimit dhe mediave, Nikos Papas.

Për të luftuar dukurinë e lajmeve propaganduese, arma më e fortë është vetëm publikimi i së vërtetës, janë dakorduar pjesëmarrësit nga të dyja vendet, në konferencën për luftë kundër lajmeve të rreme.

Në këtë drejtim do të ndihmojë edhe bashkëpunimi që po vendoset mes televizioneve publike dhe Agjencive të lajmeve të të dyja vendeve. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)