Ligji për fatin e PPS-së, Arsovski: S’ekziston variant i pranueshëm për VMRO-në
Grupet punuese për Ligjin për Prokurori Publike, për të tretën herë, përfunduan pa rezultat....

Grupet punuese për Ligjin për Prokurori Publike, për të tretën herë, përfunduan pa rezultat.
Përpjekjet janë më shumë formë se përmbajtje, pasi opozita e kryesuar nga VMRO-DPMNE kurrë nuk do të mbështesë punën e Prokurorisë Speciale, thotë analisti politik, Petar Arsovski.
Sipas tij, çelja e bisedimeve për anëtarësim në BE është disfavor politik për opozitën, prandaj do të vazhdojë obstruksionet për të penguar miratimin e propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurori Publike, i cili parasheh rregullimin e statusit të PPS-së.
“Mendoj se opozita nuk do ta mbështesë punën e Prokurorisë Publike Speciale, pasi mendoj se strategjia e tyre politike është që të presin zgjedhjet e radhës parlamentare pa datë për bisedime. Në këtë kuptim nuk jam i sigurt se ekziston variant për Ligjin për Prokurori Publike dhe vazhdimin e PPS-së, të cilin opozita mund ta pranojë”,- deklaroi analisti politik, Petar Arsovski.
Procesi për të zbardhur dhe gjykuar rastet nga përgjimet e paligjshme duhet të vazhdojë, jo sepse këtë e kërkon Brukseli, por për të rikthyer sundimin e shtetit ligjor, prandaj Arsovski thotë Ligji mund dhe duhet të miratohet dhe se përveç shumicës parlamentare dhe opozitës shqiptare, është e mundur të sigurohet edhe mbështetja e grupit të pavarur të VMRO-DPMNE-së, prej 8 deputetësh.
“Mbështetja e tetë deputetëve, teoretikisht është e mundur, por nuk besoj se do të jetë e mundur pa ndonjë pako më të gjerë për PPS-në”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Kryeministri, Zoran Zaev, tashmë ka marrë mbështetjen e opozitës shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA. Por, përkundër ngutjes së qeverisë për të miratuar këtë ligj sapo të sigurohen 80 vota, pr/ligji nuk do të vihet në plenare papërfunduara zgjedhjet presidenciale. Të paktën, kështu deklaroi kryeparlamentari Xhaferi. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
