Dibër, nuk ka raste të reja të të sëmurëve nga fruthi
Numri i të prekurve nga fruthi në komunën e Dibrës vazhdon të mbetet i njëjtë....

Numri i të prekurve nga fruthi në komunën e Dibrës vazhdon të mbetet i njëjtë. Gjatë javës që lamë pas nuk janë paraqitur raste të reja të të sëmurë nga fruthi.
Nga fillimi i vitit 2019, pas paraqitjes së fruthit në Dibër me rrethinë, janë evidentuar 18 raste prej të cilëve asnjëri nuk është në gjendje kritike, shprehet drejtuesi i Qendrës së Shëndetit Publik - Njësia në Dibër, Mentor Mela, i cili nënvizon se gjendja nuk është alarmante dhe nuk duhet krijuar panik.
“Në vitin 2018 ne kishim epidemi të fruthit, ku kishim mbi 40 raste, mirëpo në vitin 2019 kemi edhe 18 raste tjera, duke filluar nga muaji shkurt kemi 6 raste, por edhe gjatë muajit mars kemi edhe 12 raste të tjera. Prej 18 rasteve, 3 raste i kemi nga fshati Papranik, 3 raste nga fshati Xhepishtë dhe 12 raste në qytetin e Dibrës. Gjatë kësaj jave nuk patëm asnjë rast të ri, nëse do të paraqiten raste të reja, atëherë mund të shpallim epidemi të fruthit, mirëpo tani për tani situata është e qetë dhe nuk ka vend për panik”,- tha drejtuesi i QSHP - Njësia në Dibër, Mentor Mela.
Sa është rritur interesi për vaksinim i fëmijëve tek qytetarët?
“Të gjithë fëmijët deri më tani janë të vaksinuar, mbi 95% janë të vaksinuar, prandaj ne edhe në epideminë që kishim vitin e kaluar edhe tani në vitin 2019 nuk kemi fëmijë të moshës 1-vjeçare dhe të moshës 6-vjeçare që do të thotë janë të vaksinuar komplet”,- u shpreh drejtuesi i QSHP - Njësia në Dibër, Mentor Mela.
Të gjithë të sëmurët nga fruthi kanë qenë në afërsi familjare ku virusi i fruthit është transmetuar nga njëri anëtar i familjes tek tjetri. (Atli Dema, TVM2)
