Ligji për PThP-në, Zaev: Bisedimet me VMRO-në vazhdojnë në fundjavë

29.03.2019 18:42

Gjatë fundjavës pritet takim i ri midis LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së...

Gjatë fundjavës pritet takim i ri midis LSDM-së, VMRO-së dhe BDI-së për harmonizimin e qëndrimeve për prokurori publike, pasi takimi i tretë midis grupeve të punës përfundoi pa marrëveshje. Paralajmërimi vjen nga kryeministri, Zoran Zaev, i cili shprehet optimist se bisedimet me partitë opozitare do të përfundojnë në afatin e paraparë pasi mbrëmë takoi edhe tetë deputetët e dalë nga VMRO. Ai për fundjavë paralajmëroi takime edhe me grupet e tjera parlamentare.

“Mbrëmë kishim takim me tetë deputetët, biseduam për thelbin e ligjit dhe bisedimet vazhdojnë. Besoj se gjatë fundjavës do të vazhdojë takimi midis ministres së drejtësisë bashkë me ekipin e saj me përfaqësues të VMRO-DPMNE-së. Besoj se edhe këtu do të kemi lëvizje të dukshme që më tej të presim edhe hapat tjerë pozitivë me tetë deputetët e dalë nga VMRO-DPMNE, e më pas edhe me Aleancën për Shqiptarët, Besën, por edhe me grupet tjera parlamentare”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

STOILLKOVSKI: S’HEQIM DORË NGA TRE PARIMET

VMRO përshëndet gatishmërinë për vazhdimin e bisedimeve, por thonë se nuk heqin dorë nga përfshirja e tre parimeve në ligj e që kanë të bëjnë me dokumente ndërkombëtare për të drejtat themelore të njeriut dhe funksionimin e pavarur të prokurorisë.

“Absolutisht nuk ka tregti me parimin e drejtësisë, nuk ka tregti me tre parimet, kjo u tha qartë. Mirë është që ka dallime në pakon e ligjit, megjithatë është mirë që nga ana tjetër gatishmëri për bisedime të mëtejme. Gjëja e vetme për të cilën angazhohemi është vendosja e mekanizmave për t’u zbatuar drejtësia në RMV”,- tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se Ligji për Prokurori Publike është parakusht për marrjen e datës për çeljen e bisedimeve me BE-në, andaj kërkojnë që i njëjti të vihet në rend dite menjëherë pas arritjes së konsensusit.(Meral Ismaili, TVM2)