KShZ përmbyll listën zgjedhore, 1.808.131 qytetarë me të drejtë vote më 21 prill
Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka përmbyllur Listën Zgjedhore....

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka përmbyllur Listën Zgjedhore. Gjithsej 1 milion e 808.131 qytetarë janë të evidentuar si votues në Listën Zgjedhore dhe do të kenë të drejtë të marrin pjesë në Zgjedhjet Presidenciale dhe lokale të 21 prillit.
KShZ sqaroi se nëse do ketë nevojë për një rreth të dytë zgjedhor, për arritjen e censusit prej 40 përqind do të jetë e nevojshme që në zgjedhje të dalin 723 mijë e 253 qytetarë dhe kandidati i cili do të marrë një votë më shumë se kundërkandidati tjetër do të shpallet president i ri i vendit.
“Po e mbyllim Listën Zgjedhore me 1 milion e 808.131 votues dhe me këtë numër do të shkojë vendi në Zgjedhjet Presidenciale të cilat na presin. Po ashtu Lista është mbyllur edhe për tre komunat ku do të realizohen zgjedhjet lokale edhe atë për Novo Selo, Ohër dhe Dibër. Nëse do të ketë raund të dytë të Zgjedhjeve Presidenciale censusi prej 40 për qind do të jetë 723 mijë e 253 votues”,- deklaroi anëtari i KShZ-së, Janakie Vitanovski.
KShZ nuk ka pranuar asnjë nga katër ankesat të cilat janë dërguar për fillim të parakohshëm të fushatës. Po ashtu KSHZ ka shqyrtuar edhe kërkesat e Lëvizjes qytetare MOST për të drejtën që t’i mbikëqyr Zgjedhjet Presidenciale dhe ato Lokale me gjithsej 64 persona.
“Kanë dërguar kërkesë deri tek Komisioni Shtetëror Zgjedhor për mbikëqyrje të zgjedhjeve nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Dita e parë e dorëzimit ka qenë 8 shkurti, ndërsa dita e fundit deri kur mund të dorëzojnë kërkesa për mbikëqyrës të zgjedhjeve është data 10 prilli i këtij viti”,- tha anëtari i KShZ-së, Enver Salihi.
Nga KShZ informuan se të dielën në orën 12 do të ftohen të tre kandidatët për president, që ta nënshkruajnë kodin për zgjedhje korrekte të lira dhe demokratike. (Fitim Kryeziu, TVM2)
