Paradë festive në Tiranë, Shqipëria 10 vjet në NATO - siguri për rajonin
Shqipëria e ka treguar sot forcën para përfaqësuesve të 29 vendeve anëtare të NATO-s....

Shqipëria e ka treguar sot forcën para përfaqësuesve të 29 vendeve anëtare të NATO-s. Në 10 vjetorin e anëtarësimit në NATO, në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë u zhvillua një paradë ushtarake, ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit, si dhe ambasadorë të vendeve aleate. Në fjalën e tij, kreu i shtetit, Ilir Meta, u shpreh se Shqipëria do të vijojë që të kontribuojë në të gjitha misionet, ndërsa shtoi se bota po përballet me sfida të reja.
"Shqipëria ka marrë përgjegjësitë që i takojnë, për reformimin dhe modernizimin e pandërprerë të Forcave të Armatosura, për plotësimin e angazhimeve buxhetore dhe pjesëmarrjen aktive në operacionet e përbashkëta, krah për krah vendeve aleate në misionet ndërkombëtare në Afganistan, Irak, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Letoni, Mali, Deti Egje dhe kudo ku i është kërkuar”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmila Sheqerinska, tha se vendi që ajo përfaqëson, ka kontribuar në shumë misione, përkrah shteteve të tjera. Ministrja shqiptare, Xhaçka, i ofroi mbështetje, duke shprehur synimin që shumë shpejt Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të futen në familjen europaine.
“Gjëja më pozitive ishte që vendet fqinje, në procedura shumë të shpejta dhe efikase, ratifikuan traktatin e pranimit, gjë që tregon se rajoni mëson nga gabimet e veta. Ne nuk e shohim veten si armiq, por si aleatë të afërt. Dje, ne morëm lajmin e mirë nga Uashingtoni, se Shtëpia e Bardhë kishte dorëzuar propozimin dhe raportin mbi ratifikimin e protokollit në Senatin amerikan”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Sheqerinska.
Kryeministri, Edi Rama, loboi gjatë ceremonisë që anëtarësimi i Kosovës në NATO është një domosdoshmëri për të gjithë familjen euroatlantike, ndërsa përmendi edhe rrezikun gjithnjë e në rritje të ndikimit rus në Ballkan.
“Duhet që Kosova të bëhet pjesë e integruar e Aleancës Atlantike. Shqipëria beson se integrimi i Kosovës në NATO është një domosdoshmëri, jo vetëm për Kosovën e Ballkanin, por për të gjithë familjen euroatlantike. Është një vizion strategjik përfshirja e Kosovës në NATO dhe një vlerë e shtuar”,- theksoi kryeministri, Edi Rama.
Në qiellin e Tiranës në këtë ditë të shënuar kanë fluturuar avionë të tipit të fundit F16, pikërisht 10 vite pasi Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut. (Luljeta Ndoka, TVM2)
