Xhamia e Ali Pashës në Ohër, Zaev: ndërtimi i minares është stopuar
Ndërtimi i minares së xhamisë së Ali Pashës në Ohër është stopuar....

Ndërtimi i minares së xhamisë së Ali Pashës në Ohër është stopuar, pasi për të nuk ka ekzistuar leje ndërtimi, por vetëm miratim për punë konservuese restauruese. Kështu ka pohuar sot në Ohër kryeministri Zaev.
Zgjidhje për këtë problematikë që shkaktoi reagime në opinion, të ashpra madje nga të dyja palët, do të kërkohet në takimin e përbashkët pas 5 majit, kur do të përfundojnë edhe zgjedhjet. Zaev pranon se kjo është një çështje shumë e ndjeshme dhe i gjithë vendi gjendet në një periudhë sensitive. Potencoi se Ohri është shembulli i mirëkuptimit multientik.
Përveç çështjes së xhamisë, Zaev siguroi qytetarët, jo vetëm të Ohrit, por edhe të Strugës, se janë ngritur padi penale dhe paralajmëroi sanksione për të gjithë ata që në mënyrë joligjore po djegin kallamet në bregun e liqenit. Paralajmëroi vendosjen e kontrollit të rreptë të qeverisë në të gjithë bregun e liqenit, por për ta mbrojtur këtë perlë të natyrës, kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve dhe organizatave joqeveritare.
