Ngecja e investimeve kapitale, qeveria formon ekip të posaçëm kontrolli

29.03.2019 19:56

Nga janari janë realizuar vetëm 3.53% e investimeve të parashikuara kapitale....

Nga janari janë realizuar vetëm 3.53% e investimeve të parashikuara kapitale. Nga qeveria thonë se shifra e ulët është pasojë e kushteve të ndërtimit. Për të kontrolluar gjendjen më nga afër, ekzekutivi ka vendosur të formojë një ekip kontrolli që do të kryesohet nga zëvendëskryeministri Angjushev e do të përbëhet edhe nga ministrat e ekonomisë dhe transportit, Kreshnik Bekteshi dhe Goran Sugareski.

“Ne kemi një detyrë në emër të qeverisë, t’i kontrollojmë investimet kapitale dhe t’i përshpejtojmë ato. Ajo filloi një muaj më parë dhe më duhet të them se ka lëvizje serioze dhe shifrat do t’i shohim në vijim”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

FONDET IPA, 6 MLN EURO PËR NDËRMARRJET E VOGLA E TË MESME

Vazhdojnë ndërkohë projektet që kanë si qëllim rritjen e konkurrencës për kompanitë e vogla dhe të mesme, përmes fondeve europiane. Një ndihmë teknike për këto kompani jepet edhe përmes linjës kreditore të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe të BE-së, në një shumë totale prej 6 milionë eurosh.

“Gjatë tre muajve të parë të punës, 10 kompani tashmë kanë marrë kredi në këtë program, kurse 15 aplikantë të tjerë janë në një fazë të avancuar të miratimit”,- u shpreh drejtoresha e zyrës së BERZh-it në RMV, Anka Joana Jonesku.

Deri më tani, BERZh ka investuar mbi 1.8 miliardë euro në 117 projekte të ndryshme në vend, duke u fokusuar në mbështetjen e integrimit të vendit në tregjet rajonale dhe globale. (Sedat Selimi, TVM2)