Rritja e sigurisë rajonale, stërvitje policore Maqedoni, Kosovë dhe Shqipëri
Njësitë speciale policore të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës...

Njësitë speciale policore të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Kosovës realizuan ushtrim praktiko - demonstrues, me ç’rast u simuluan aksione luftarake.
Sipas ministrave të brendshëm të të tre vendeve, kjo nismë dëshmoi se ministritë e brendshme mund të zhvillojnë rrjet bashkëpunimi, të këmbejnë përvojat e përbashkëta për t’u përballur në mënyrë efektive me sfidat më të mëdha në sferën e sigurisë.
“Ky është mesazh shumë i rëndësishëm për qytetarët e tre shteteve, por edhe për rajonin dhe BE-në se ne së bashku mund të bashkëpunojmë, të këmbejmë përvoja dhe vlera në sigurimin e stabilitetit jo vetëm të shteteve tona por edhe të rajonit”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
“Këto ushtrime duhet të japin shembuj shteteve tjera dhe shteteve në rajon, se bashkëpunimet e tilla ndjellin vetëm siguri dhe ushqejnë qytetarët me siguri, sepse ministritë e punëve të brendshme dhe policitë janë për t’u dhënë siguri qytetarëve tanë”,- tha ministri i punëve të brendshme i Kosovës, Ekrem Mustafa.
“Vendi juaj arriti të na bëjë bashkë dhe kjo është një gjë shumë e madhe dhe shumë domethënëse. Ne e kemi treguar sot me vepra që arrijmë të bashkëpunojmë shumë mirë dhe unë mendoj që proceset integruese të vendeve tona nuk mundet më t’i ndal askush”,- tha zëvendësministrja e punëve të brendshme e Shqipërisë, Rovena Voda.
Trajnime të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen me qëllim të thellimit të promovimit të standardeve evropiane për luftë ndaj krimit dhe lëndëve narkotike. (Flutura Latifi, TVM2)
