Propozim ligji për mbrojtje sociale, Ibraimovski: Më shumë do të shfrytëzojnë këtë masë
Asistenca për energji elektike për kategoritë sociale përplasi pushtetin dhe opozitën....

Asistenca për energji elektike për kategoritë sociale përplasi pushtetin dhe opozitën në Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale, ku filloi shqyrtimi i amendamenteve lidhur me propozim-tekstin e Ligjit për mbrojtje sociale.
Nga VMRO-DPMNE thonë se me propozim ligjin e ri kjo masë shkurton mjetet që parashikonte ligji aktual, teksa Samka Ibraimovski nga shumica parlamentare tha se me ndryshimet e reja më shumë qytetarë do të kenë mundësi të shfrytëzojnë këtë masë.
“Ashtu siç e keni propozuar këtë ligj, nuk e di se si do të mund t’i nxjerrim nga varfëria kategoritë e rrezikuara. Ka disa gjëra që janë më mirë, por për fat të keq ka shumë gjëra që janë negative dhe të pathëna të cilat nuk i thoni para qytetarëve. Konsideroj se vërtet duhet të mendoni ta pranoni amendamentin që kemi propozuar, pasi që deri më tani familjet kanë marrë nga 12 mijë denarë si subvencionim për energji elektrike, tani ua shkurtoni në 6 mijë denarë”,- tha Sllagjana Mitovska nga VMRO-DPMNE.
“Të gjithë qytetarët shfrytëzues të asistencës sociale kur është dashur të paguajnë energjinë elektrike që ta marrin këtë lloj ndihme është dashur patjetër t’i paguajnë faturat dhe më pas t’u refundohen mjetet, ndërsa këtë nuk kanë mundur të gjithë ta bëjnë. Nuk kanë mundur ta shfrytëzojnë këtë ndihmë, sepse nuk e kanë paguar energjinë elektrike. Me zgjidhjen e re ata nuk do të kenë obligim t’i paguajnë faturat dhe më pas t’u refundohen mjetet, kështu që do të kenë mundësi ta shfrytëzojnë më shumë qytetarë”,- tha Samka Ibraimoski nga PEPR.
Propozim ligji për mbrojtje sociale ndodhet në lexim të dytë, ndërsa deputetët kanë parashtruar gjithsej 56 amendamente për të cilat duhet të prononcohen komisionet amë dhe kuvendi në seancë plenare. (Naim Ramadani, TVM2)
