Maqedoni

Mungon kuadri adekuat, shqetësohen kompetentët

30.03.2019 16:28

Mungesa e kuadrove profesionale është një problem për të cilën kompanitë po ankohen çdo ditë e më shumë.....

Orientimi i të rinjëve në drejtimet e përgjithshme si dhe migrimi i tyre jashtë vendit ka kontribuar në rritjen e kësaj problematike. Ilir Idrizi, koordinator në Universitetin Nënë Tereza tha se sistemi edukativo arsimor te ne fatkeqësisht deri tani ka përgaditur kuadro shumë të mira në aspektin teorik, por jo edhe në atë praktik. Universiteti Nënë Tereza ka hapur disa drejtime teknike dhe profesionale për të cilat ka nevojë tregu, por Idrizi thotë se fillimisht ndryshimet duhet të bëhen që nga shkollat fillore. 
 
“Problemi në universitete shfaqet nga mospasja e nxënësve në shkollat e mesme profesionale. Ato janë të zbrazëta.  Po të bëjmë një anketë dhe të shohim se sa nxënësit e shkollave fillore janë të përgaditur për tu regjistruar në shkollat e mesme profesionale është tmerrësisht numri i vogël dhe zakonisht shkojnë ato që nuk janë pranuar në drejtimet e përgjithshme”, tha Ilir Idrizi.
 
Në UNT janë  ndërmarrë disa hapa për të bashkëpunuar me kompanitë dhe për të inkuadruar studentët në tregun e punës. Një mundësi të tillë jep Zyra për Karierë dhe Ndërmarrësi dhe projekti i parkut teknologjik, aktivitete këto të cilat ky universitet ka ndërmarrë kohën e fundit.  
 
“Në kuadër të Zyres për karierë dhe ndërmarrësi përgadisim që të realizojmë edhe një rrjetëzim me kompanitë në kuadër të një panairi të karierës i cili planifikohet që të realizohet diku në qershor, ku do ti ftojmë të gjitha kompanitë bashkëpuntore dhe institucionet me të cilat kemi bashkëpunim si universitet ,  që para studentëve të shpalosin procedurat e tyre për mundësinë e punësimit të studentëve në këto kompani dhe institucione, që studentët pas përfundimit veçmë të kenë të profilizuar atë se ku do të drejtohen për të kërkuar punë dhe të zhvillojnë karierën e tyre të mëtejshme”, tha Idrizi. 
 
Idrizi vlerëson se duhen bërë trajnime përmes të cilave të rritet vetëdija te nxënësit që të drejtohen në shkollat e mesme tekniko-profesionale, për të cilat ka nevojë në tregun e punës. 
 
ERSAN PAJAZITI