Maqedoni
Zgjedhjet 2019, QMBI apelon për fushatë të qetë
01.04.2019 12:24
Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, në ditën e parë të fillimit zyrtar të fushatës....

Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional, në ditën e parë të fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore për presidencialet, u bën thirrje kandidatëve për president, partive politike që mbështesin kandidatët, si dhe çdo faktori tjetër të kyçur në këtë fushatë, që të zhvillojnë fushatë zgjedhore të qetë e demokratike. Kërkojmë nga kandidatët për president dhe subjektet politike, që të respektojnë kodeksin e nënshkruar nga vetë ata për zgjedhje të drejta dhe korrekte, në mënyrë që si i tillë i njëjti të reflektojë edhe në terren gjatë kohës së fushatës.
Meqë Republika e Maqedonisë së Veriut është në pritje të datës për fillimin e negociatave me BE, vendim ky i cili është i lidhur ngushtë edhe me mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale, i ftojmë pjesëmarrësit në këtë fushatë zgjedhore që të ruhen nga gjuha e urrejtjes, ndarjes dhe konfliktit, nga gjuha e largimit nga qëllimet tona strategjike si shtet. Bëjmë thirrje që në këtë fushatë zgjedhore të mbisundojë fryma evropiane dhe demokratike, thuhet në apelin e QMBI-së.
