Maqedoni

Fushata zgjedhore, Avokati i Popullit: asnjë presion ndaj votuesve

01.04.2019 12:46

Avokati i Popullit u apelon drejtuesve të institucioneve dhe personave të tjerë në administratën publike, që të mos e marrin guximin të frikësojnë...

Avokati i Popullit u apelon drejtuesve të institucioneve dhe personave të tjerë në administratën publike, që të mos e marrin guximin të frikësojnë, ose bëjnë presion mbi të punësuarit për të votuar për individë të caktuar në zgjedhjet presidenciale dhe lokale në 3 komuna.

Mehmeti kujton se për ata që bëjnë presion dhe kërcënojnë votuesit, do të ketë përgjegjësi penale.

“Secili ka të drejtë të deklarohet për opsionin e vet, pa vuajtur kurrfarë pasoja. Qytetarët janë ata që vendosin. Askush nuk guxon, përmes formave të ndryshme të presioneve, shantazheve dhe kërcënimeve, të vendos në emër të tyre. Qytetarët nuk duhet të heshtin, përkundrazi, ata duhet të jenë aktivë, meqë me denoncimin në kohë të parregullsive, të çfarëdo qoftë lloji, ata e mbrojnë të drejtën e tyre dhe njëkohësisht kontribuojnë në procesin e përgjithshëm zgjedhor demokratik”,- thotë Mehmeti në apelin e tij.

Avokati i Popullit apelon edhe deri tek prindërit dhe faktorët e tjetër pjesëmarrës në procesin zgjedhor, që t’i kursejnë fëmijët nga fushata politike, mediave u bën apel që të mos prezantojnë video nga fushatat ku përfshihen fëmijë, me qëllim të mbrojtjes së fëmijëve nga manipulimet politike dhe ideologjike.

Me rëndësi për zyrën e Avokatit është mënyra e transmetimit të informacioneve, që duhet të bëhet në mënyrë objektive, të paanshme dhe duke respektuar etikën gazetareske.

Prej sot funksionon edhe linja e hapur falas e Avokatit të Popullit për denoncim të presioneve dhe kërcënimeve në numrin 0800 54321, e cila do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në orën 16:00.