Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2019, fillon zyrtarisht fushata zgjedhore në tri komuna
01.04.2019 14:52
Më 21 prill, në vend, krahas zgjedhjeve presidenciale, do të mbahen edhe zgjedhje të parakohshme për kryetarët e komunave Ohër, Novosellë dhe Dibër...

Për komunën e Ohrit garojnë 5 kandidatë, Stevçe Stevoski nga Partia Demokratët, Mihail Trendafilovski, nga Unioni Demokratik Qytetar, Mitre MIlloshevski nga VMRO-DPMNE, Xhemail Mena nga Lëvizja Besa dhe Konstantin Georgievski nga LSDM.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunën e Ohrit mbahen pasi ish kreu i komunës, Jovan Stojanovski, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të papritur.
Në Dibër garojnë dy kandidatë, Hekuran Duka nga BDI dhe Arben Agolli nga Aleanca për Shqiptarët.
Edhe në Dibër zgjedhjet mbahen pasi ish kreu i komunës, Ruzhdi Lata, ndërroi jetë nga një sëmundje.
Në Novo Sellë garojnë Nikolla Andonov nga LSDM dhe Nikollço Stoilkov nga VMRO-DPMNE.
Zgjedhjet në këtë komunë mbahen pasi ish kreu i saj, Boro Stojçev, dha dorëheqje për shkak të procedurave gjyqësore kundër tij dhe vendimeve për vuajtjen e masës së burgimit.
Nëse krerët e këtyre komunave nuk arrijnë të zgjidhen që në rrethin e parë, sërish do të ketë një rreth të dytë zgjedhor më 5 maj.
Kandidatët në garën për karrigen e parë të tre komunave nënshkruan kodeksin etik dhe premtuan fushatë korrekte dhe demokratike.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
