Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2019, BDI promovon Hekuran Dukën në Dibër

01.04.2019 14:56

Me moton “Bashkë me vizion të ri për Dibrën”, BDI mbajti mbrëmë konventën promovuese në Dibër...

Me moton “Bashkë me vizion të ri për Dibrën”, BDI mbajti mbrëmë konventën promovuese në Dibër për të promovuar kandidatin për kryetar të komunës, Hekuran Dukën. Ai  theksoi se do të angazhohet në realizimin e shumë projekteve që janë në interes të qytetarëve, me ç’rast prioritet do të ketë zgjidhja e problemeve infrastrukturore.
 
“Angazhim në lidhje me sistematizimin e deponisë së qytetit, diagnostifikimin e shkaqeve për mungesën e ujit të pijshëm në qytetin tonë dhe marrjen e masave për t’i sanuar ato në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Ndërtimin dhe riparimin e infrastrukturës mbitokësore dhe nëntokësore në qytet, angazhim për ndërtimin e një azili për qentë endacakë me karakter ndër-regjional dhe me komunat fqinje”,- deklaroi kandidati për kryetar të komunës së Dibrës – BDI, Hekuran Duka.
 
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, potencoi me këtë rast se vetëm me investime do të ndalet migrimi i të rinjve dhe premtoi edhe më tej vazhdimin e projekteve në Dibër.
 
“Gjërat janë të shkruara dhe para jush të deklaruara, dhe unë këtu jam që do t’i qëndroj me të gjithë bashkëpunëtorët e mi vëllait tim, Hekuran Dukës, në mbështetje të plotë për ta realizuar këtë program, sepse realizojmë qëllime fisnike të dibranëve tanë, të njerëzve tanë, vëllezërve dhe motrave tona, në këto hapësira”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti. 
 
Në Konventë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të LSDM-së dhe PAE-s në Dibër, të cilët kanë theksuar se do të japin mbështetje të fuqishme për kandidatin e BDI-së për kryetar komune.
 
FLUTURA LATIFI