Maqedoni

Zgjedhjet presidenciale 2019, nis zyrtarisht fushata zgjedhore e tre kandidatëve

01.04.2019 15:19

Tre kandidatët presidencialë fillojnë sot fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale.....

Tre kandidatët presidencialë fillojnë sot fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale. Blerim Reka - kandidati i pavarur që ka mbështetjen edhe të opozitës shqiptare, Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, fushatën e fillon nga Shkupi. Gordana Siljanovska-Davkova - kandidate e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, fushatën e fillon nga Ohri, ndërsa Stevo Pendarovski - kandidati i LSDM-së dhe koalicionit  qeverisës, fushatën e nis nga Prilepi. Fushata për zgjedhjet presidenciale do të zgjasë deri më 19 prill.
 
Raundi i parë zgjedhor mbahet më 21 prill, ndërsa raundi i dytë më 5 maj. Presidentin e ri duhet ta zgjedhin 1.808.131 qytetarë me të drejtë vote të regjistruar në Listën Zgjedhore. Në zgjedhjet presidenciale, të drejtën e votës jashtë vendit do të mund ta realizojnë gjithsej 1.782 qytetarë në 32 përfaqësi diplomatiko – konsullore dhe zyra konsullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.
 
Kandidati për president mund të fitojë në raundin e parë nëse merr mbi 50%  të votave të të gjithë votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore, gjë që në Maqedoninë e Veriut duket e pamundur marrë parasysh numrin e votuesve që kanë dalë në votime në zgjedhjet paraprake. 
 
Në raundin e dytë hyjnë dy kandidatët me më së shumti vota nga raundi i parë. Jehona në raundin e dytë duhet të jetë mbi 40% që votimi të konsiderohet i vlefshëm. Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u zgjidh kontesti për emrin midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe vendi e mori emrin e ri Republika e Maqedonisë së Veriut. 
 
NERMIN MUALKI FEJZULLAHU