Autostrada Tetovë-Gostivar, aksident i rëndë, një i vdekur e katër të lënduar
Rreth orës 7 të mëngjesit, në pikë-pagesën rrugore në autostradën Tetovë-Gostivar...

Rreth orës 7 të mëngjesit, në pikë-pagesën rrugore në autostradën Tetovë-Gostivar, ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku.
Informacionet e para flasin për një të vdekur dhe katër persona të lënduar. Aksidenti ndodhi mes një makine Mercedez me vetëm shoferen brenda, e cila është edhe viktima.
Nga Policia e Tetovës bëjnë të ditur se gruaja që ka ndërruar jetë është nga Kërçova. Në makinën Tuareg, që ishte makina e dytë e përfshirë në aksident, gjendeshin 3 burra dhe një grua nga Dibra që udhëtonin drejt aeroportit të Shkupit.
Drejtori i spitalit të Tetovës, Florim Besimi, informon se në këtë spital janë sjellë 4 persona të lënduar, 3 burra dhe një grua. Personat e hospitalizuar në Spitalin Klinik të Tetovës janë: Arben Klobuçishta, Mersim Koleci, Arif Koleci dhe Blerime Klobuçishta.
Për momentin në vendngjarje kanë arritur edhe nga Prokuroria. Në vendin e ngjarjes menjëherë ka mbërritur edhe Njësiti i zjarrfikësve nga Tetova, të cilët kanë ndihmuar në nxjerrjen e trupit të pajetë nga makina si dhe të personave të tjerë të lënduar në aksidentin fatal. Rruga vazhdon të jetë e hapur në të dy kahjet.
Gjatë ditës pritet që autoritetet të japin më shumë detaje rreth aksidentit.
