Zgjedhjet presidenciale 2019, Reka e filloi fushatën zgjedhore nga Shkupi
“Reka për Republikën”, me këtë moto e nisi mbrëmë fushatën elektorale....

“Reka për Republikën”, me këtë moto e nisi mbrëmë fushatën elektorale, kandidati për president, Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Nga sheshi “Skendërbeu”, Reka theksoi se është për një shtet ku sundon ligji, ndërsa ftoi qytetarët të votojnë kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive.
“Bashkë me ju qytetarë sot po nisim rrugëtimin e fitores, me ju sot po lidhim besën dhe po krijojmë aleancë shqiptare. Po lidhim besën për një republikë të të gjithëve, republikën e sundimit të ligjit, e jo të individit, aq më pak të liderit. Kundër shtetit privat dhe shtetit të zbrazur. Kundër shtetit të zbrazur që zbrazi çerekun e popullsisë së këtij vendi. Mos lejoni që me votën e juaj të largoni edhe të rinjtë e fundit idealistë që ende besojnë në idenë shqiptare. Votoni kundër korrupsionit, nepotizmit dhe drejtësisë selektive, por sidomos votoni kundër ‘aksham’ pazareve me votën tuaj, nga patriotët tenderistë”,- deklaroi kandidati për president, Blerim Reka.
Para simpatizantëve të tyre në Sheshin Skënderbeu fjalim mbajtën edhe kreu i ASh-së, Ziadin Sela, dhe kryetari i Besës, Bilall Kasami.
“Nuk kam pikën e dyshimit që sonte këtu, se rreth kandidaturës së profesor Rekës, janë të gjithë ata shqiptarë të një mend, të cilët kur nuk kanë hequr dorë nga vetja dhe kur nuk do të heqin. Është Blerimi ai i cili në këto zgjedhje nuk i la shqiptarët pa mundësinë për ta zgjedhur shqiptari shqiptarin”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
“Modeli i Blerim Rekës është që t’i dëshmojmë gjithë qytetarëve të Maqedonisë, veçanërisht partive politike maqedonase, se shqiptarët janë njerëz që mund të kryejnë detyra shtetërore me nder dhe krenari më mirë se çdo kusht tjetër. Kanditatura e profesor Blerim Rekës është një mundësi për maqedonasit që të dëshmojnë se a janë të gatshëm të pranojnë që shtetin ta udhëheq një shqiptar i cili vjen nga faktorizimi i votës shqiptare”,- tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Kandidati për president, Reka, shprehu falënderim për mbështetjen e subjekteve opozitare shqiptare, ndërsa ftoi të gjithë qytetarët pa dallim që me 21 prill të votojnë për kandidaturën e tij. (Zekirija Mexhiti, TVM2)
