Maqedoni

Rasti “Sazdovski”, Raufi: Gjykata dhe Prokuroria punojnë nën ndikim

02.04.2019 19:02

Pala mbrojtëse e të akuzuarve në rastin për vrasjen e Nikolla Sazdovskit akuzon gjykatën dhe prokurorinë se punon nën ndikim dhe nuk është e pavarur.....

Avokati, Naser Raufi, thekson se kanë shumë vërejtje që prej fillimit të këtij rasti, vepra e të cilit u rikualifikua nga vepër penale “dhunë më pasojë vdekjen”, në vepër penale “vrasje në mënyrë të dhunshme dhe mizore”.
 
“Më 27 mars, deputeti, Pavle Bogoevski, tha që ai vet si deputet ka reaguar që të ketë rikualifikim dhe u bë rikualifikimi. Prej asaj u argumentua se ende nuk e kemi prokurorinë të lirë dhe të pavarur, pasi prokuroria ra në influencë të Kuvendit në këtë rast. Ndikimi është edhe te vet gjykata dhe unë si avokat kërkova përjashtimin e gjykatëses së rastit, propozimi im u refuzua, por kërkova edhe të prokurores në këtë rast”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.
 
Mbrojtja ankohet edhe për kohën e kufizuar për konsultantin teknik të angazhuar nga mbrojtja për të vërtetuar nëse Sazdovski ka përjetuar vuajtje dhe trajtim mizorë gjatë sulmit, siç shkruan në aktakuzë. Sipas Raufit, nuk bëhet fjalë për vrasje, por për sulm fizik në kohëzgjatje më pak se një minutë. Në bazë të Kodit Penal, sipas akuzës aktuale, të akuzuarit rrezikojnë dënim me burg prej 10 vjet deri në burg të përjetshëm. Të akuzuarit, Besir Bela dhe Skender Demiri, janë në paraburgim, ndërsa për të akuzuarin e tretë është shpallur fletëarrest vendor dhe ndërkombëtar.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI