Zgjedhjet presidenciale 2019, Reka vizitoi fshatrat e Karshiakës
Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, kandidati për president, Blerim Reka....

Në ditën e dytë të fushatës zgjedhore, kandidati për president, Blerim Reka, i mbështetur edhe nga dy partitë, Aleanca për Shqiptare dhe Lëvizja Besa, e vazhdoi fushatën në Batincë, Sopishte dhe Studeniçan.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, Reka tregoi rëndësinë e daljes masive për votime, ndërsa kërkoi mbështetjen e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësisë etnike apo partiake. Reka më tej gjatë takimeve me qytetarët e kësaj ane tha se po u sqaron votuesve dallimin mes konsensusit dhe besëlidhjes.
“Do të mundohemi që t’u sqarojmë votuesve që do të dalin më 21 prill se ku është dallimi midis konsensusit dhe besëlidhjes, ku është dallimi midis konceptit dhe ujdisë. Ne do të mundohemi që të tregojmë se ujdia dhe besëlidhja arrihet midis vëllezërve para se të arrihet midis komshinjve”,- deklaroi kandidati për president, Blerim Reka.
Gjatë këtyre takimeve, kandidati Reka u shoqëruar nga dy liderët e partive që mbështesin kandidaturën e tij. Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, theksoi se kandidatura e Blerim Rekës për president ka nderuar gjithë shqiptarët, pasi që me këtë, sipas tij, çdo shqiptari i ofrohet mundësia e përfaqësimit.
Ai ftoi simpatizantët e Aleancës për Shqiptarët, por edhe të partive tjera që më 21 prill të votojnë kandidatin e vetëm shqiptar në zgjedhje.
Ndërsa lideri i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, gjatë tubimeve në Karshiakë të Shkupit, hapur potencoi se përkahja e kandidaturës së Blerim Rekes nga lëvizja që drejton ai është sepse besojnë në konceptin e një shteti për të gjithë.
Kasami shtoi se Reka është zgjidhja e vetme që do bëjë Maqedoninë e Veriut shtet me vlera evropiane, ndërsa u bëri thirrje edhe maqedonasve që të votojnë profesorin, Blerim Reka.
